Njoftim për shtyp në lidhje me licencat kombëtare
Autoriteti i Mediave Audiovizve, në mbledhjen e sotme, datë 27.01.2017, miratoi dhënien e licencës së fundit kombëtare numerike audiovizive e cila iu akordua subjektit ADTN.
Me dhënien e kësaj licence përfundon procesi i licencimit të shtatë rrjeteve kombëtare, dy prej të cilëve i janë akorduar RTSH-së dhe nga një rrjet subjekteve Tv Klan, Digitalb, Top-Channel, Media Vizion dhe ADTN. Procesi i licencimit të rrjeteve numerike kombëtare, i cili ka filluar që në vitin 2006 me akordimin e planit numerik frekuencor nga Marrëveshja Ndërkombëtare Gjeneve06, ka hasur vonesa të konsiderueshme. Se pari, miratimi i kuadrit rregullator ka filluar vetëm ne vitin 2012, me miratimin e Strategjisë së Digjitalizimit, çka u pasua një vit më vonë me miratimin e ligjit 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Së dyti, implementimi i dy rrjeteve kombëtare të RTSH-së pësoi vonesa gjatë viteve 2013-2014, si rrjedhoje e kontestimit të procedurës së prokurimit nga një prej kompanive konkurruese. Gjithashtu, gjate viteve 2013-2014, vonesa pësoi dhe procesi i licencimit të operatorëve kombëtarë dhe atyre me eksperience në transmetimet numerike si rrjedhoje e kontestimit nga këta operatore të procedurës se licencimit sipas beauty contest. Me rishikimin dhe miratimin e rregullores ne fjale gjate vitit 2015, filloi dhe procesi i licencimit te rrjeteve numerike kombëtare private.
Gjithsesi, procesi qe u përmbyll sot, konsiston ne rregullimin e plote te transmetimeve numerike te rrjeteve kombëtare audiovizive të cilat kanë qenë prezente në Shqipëri prej vitit 2004.
Kjo hallke e rëndësishme e procesit te digjitalizimit do të pasoje me kalimin në numerik të transmetimeve analoge vendore çka pritet të fillojë së shpejti në qarqet Tirane e Durrës, dhe me tej, për një periudhe të shkurtër kohore, digjitalizimi i këtyre transmetimeve do të shtrihet në te gjithë vendin.
Përfundimi i procesit te licencimit te rrjeteve numerike kombëtare është faktor kyç dhe ne lirimin e brezit te Dividendit Digjital, i cili duhet te ishte nen administrimin e AKEP prej më se 18 muajsh. Lirimi i këtij brezi, perverce do te sjellë në buxhetin e shtetit disa dhjetëra milionë euro, hap rrugën e implementimit te teknologjive me inovative ne rrjetet e komunikimit Mobile.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, më 27.01.2017