Nisma e AMA-s për ndërgjegjësimin e punonjësve të medias për përdorimin e fjalëve shqip në vend të atyre të huaja, ka vazhduar me publikimin e gjetjeve të javës së tretë të Janarit. Nisur nga fenomeni shumë i përhapur, i përdorimit të panevojshëm të fjalëve të huaja, jo vetëm në përditshmëri, por edhe në media, Autoriteti i Mediave Audiovizive shpalli këtë nismë, të titulluar “Fol shqip”, që synon të ndihmojë në frenimin e këtij fenomeni. Duke filluar nga 1 janari ekipet e monitorimit dhe shqyrtimit të përmbajtjeve në AMA ka nisur mbikqyrjen e përdorimit të fjalëve të huaja nga radiot dhe televizionet dhe rezultatet publikohen, shoqëruar me alternativat në shqip të fjalëve të huaja të përdorura.
Në këtë mënyrë AMA ka hapur kështu çështjen e respektimit të standardit të shqipes së folur dhe të shkruar nga redaksitë audiovizive. Mediat në tërësi, por dhe ajo audiovizive në veçanti, kanë rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e vlerave të gjuhës shqipe, por dhe në pasurimin e saj, duke shmangur ngarkesa të panevojshme të fjalëve dhe shprehjeve të huaja. Fenomeni i sjelljes jo korrekte të disa drejtuesve të programeve audiovizive, të cilët lehtësisht zevëndësojnë fjalorin shqip me fjalë të huaja në formulimet e pyetjeve, në komentet apo ndërhyrjet që bëjnë gjatë transmetimit të programeve, është kthyer në një fenomen shqetësues. Efekti është jo vetëm te deformimi i shqipes por edhe te krijimi i situatave të paqarta, të pakuptueshme nga ndjekësit. Gjithashtu kjo krijon një efekt zinxhir, tek të ftuarit dhe deri në publik, duke krijuar modele që në fund rezultojnë në dëmtues të gjuhës shqipe.
Me qëllimin për ta frenuar këtë fenomen, kryetarja e AMA-s ka njoftuar se monitorimi i përdorimit të fjalëve të huaja në radio dhe televizione do të kryhet herë pas here dhe rezultatet do të publikohen në mënyrë që punonjësit e medias të ndërgjegjësohen për ruajtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe.