Në datën 3 korrik mbyllen transmetimet analoge në qarkun e Beratit
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në zbatim të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Strategjisë për Kalimin nga Transmetimet Analoge në Transmetimet Numerike, miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 292, datë 02.05.2012, njofton se procesi i digjitalizimit të transmetimeve audiovizive do të vijojë në qarkun e Beratit, datë 3 Korrik 2017. Ky është afati përfundimtar për mbylljen e transmetimeve analoge në këtë qark.
Për sa më sipër, AMA tërheq vëmendjen për të gjithë subjekteve audiovizivë që ushtrojnë veprimtari televizive analoge në qarkun e Beratit, në marrjen e masave për të mbështetur programin e tyre në rrjetin numerik të RTSH-së, ose në njërin prej rrjeteve numerike kombëtare të licencuara nga AMA.
Nga ana tjetër, AMA kërkon nga publiku i cili përfiton transmetimet televizive nëpërmjet teknologjisë analoge, të pajiset me marrës digjital (dekoderë të tipit DVB-T2), pasi në të kundërt, mbas datës 3 Korrik 2017, nuk do të mund të shohë më transmetime televizive në këtë qark.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, më 22. 06.2017