Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar të Policisë së Shtetit, ka ndërmarrë me sukses një tjetër operacion të synuar kundër piraterisë audiovizive, duke identifikuar dhe ndaluar një aktivitet të paligjshëm në qytetin e Kukësit. Gjatë kontrolleve të kryera në terren, në kuadër të zbatimit të kompetencave ligjore për monitorimin dhe ndalimin e transmetimeve të paautorizuara, u evidentua se një shtetas po operonte në mënyrë të jashtëligjshme një server OTT. Ky server, i aksesueshëm përmes adresës publike IP 37.26.87.221, shpërndante përmbajtje televizive të platformave me pagesë, pa zotëruar të drejtat përkatëse të transmetimit.
Përmbajtjet e shpërndara ilegalisht përfshinin kanale kombëtare dhe ndërkombëtare të njohura, si:
SuperSport dhe Tring Sport,
Arena Sport 1, 2, 3, 4,
Eleven Sport 1, 2, 3, 4.
Hetimi zbuloi se i njëjti subjekt kishte vijuar veprimtarinë e paligjshme edhe pas një mase administrative të mëparshme të vendosur nga AMA – një gjobë në vlerën 5 milionë lekë. Kjo shkelje e përsëritur tregon një qëndrim sfidues ndaj ligjit dhe përbën një dëm serioz për operatorët mediatikë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në përputhje me rregullat e tregut dhe të drejtat e autorit. Rasti është tashmë referuar për ndjekje penale, në bazë të nenit 180 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, që ndalon ushtrimin e veprimtarive tregtare të paregjistruara ose në kundërshtim me ligjin.
AMA thekson se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një sërë ndërhyrjesh të vazhdueshme të autoritetit për të goditur rrjetet e paligjshme që cenojnë të drejtat pronësore dhe ndershmërinë në tregun audioviziv. Kontrolli dhe ndëshkimi i këtyre praktikave mbetet prioritet i pandërprerë i AMA-s, në bashkëpunim me institucionet e zbatimit të ligjit.