E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme audiovizive mbetet prioritet

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, në procesin e monitorimit të përmbajtjeve të transmetuara, bazuar në kërkesat e ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Kodi i Transmetimit dhe akteve të tjera nënligjore në fuqi, periodikisht ka në fokus mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme audiovizive.
 
Ditët e fundit është identifkuar dhe ndonjë rast i transmetimit të filmave me pamje të rënda dhe të papërshtatshme për orarin e emetimit, kur mendohet se para ekranit janë dhe fëmijët. Në oraret e mesditës apo pasdites, filma me skena të ekzagjeruara të ushtrimit të dhunës, me viktima jetësh njerëzore, deri dhe akte vetëvrasjeje, janë të papranueshme për t’u sjellë në ekran. Neglizhenca për planifikimin e kohës së transmetimit të filmave të tillë sjell pasoja të rënda për zhvillimin mendor, fizik apo moral të fëmijëve. Këto problematika u adresuan dhe në konferencën ndërkombëtare të 21 Prill 2022 që AMA organizoi në Tiranë.
 
Në nenin 4 të ligjit 97/2013, ku flitet mbi parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive, theksohet qartë se “kjo veprimtari respekton në mënyrë të veçantë të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e të miturve”, (pika 1/b). Po ashtu në Kodin e Transmetimit, në seksionin 5, pika 5.34, thuhet se: “OSHMA-të duhet të zgjedhin orarin e transmetimit të programeve që mund të dëmtojnë zhvillimin mendor, fizik apo moral të fëmijëve, ose të marrin ndonjë masë tjetër teknike, që fëmijët të mos i shikojnë ose dëgjojnë të tilla transmetime. (Ora kufi 22.00 – 06.00)”.
 
Respektimi i orarit të transmetimit, si dhe aplikimi i sinjalistikës për përmbajtjet problematike duhet të mbeten prioritare për redaksitë e OSHMA-ve, në zbatim të kërkesave të legjislacionit, për interesin e lartë të mbrojtjes së fëmijëve nga efektet negative nga ndjekja e programeve audiovizive.
 
AMA vijon monitorimin dhe për rastet e identifikuara do të nisë procedimin, sipas parashikimeve të ligjit 97/2013, apo akteve nënligjore në fuqi.
 
Autoriteti i Mediave Audiovizive
 
Perpara AMA- KiE bashkëpunim për të rishikuar Kodin e Transmetimit dhe modernizimin e studios së monitorimit!
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara