Autoriteti i Mediave Audiovizive vijon aksionet kundër transmetimeve pirate, duke evidentuar një tjetër shkelje të ligjit në qytetin e Tiranës.
Gjatë monitorimeve të tregut nga inspektorët e AMA-s, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit – Sektorin e Krimit Ekonomik, u konstatua funksionimi i paligjshëm i një serveri OTT dhe një serveri CCcam (card-sharing). Këta serverë transmetonin në mënyrë të jashtëligjshme platformat shqiptare DigitAlb dhe Tring TV, përfshirë paketat sportive SuperSport dhe Tring Sport, si edhe platforma ndërkombëtare.
Domain-et përkatëse janë raportuar pranë AKEP-it, me qëllim marrjen e masave të mëtejshme ligjore.
Autoriteti i Mediave Audiovizive thekson se mbetet i palëkundur në luftën kundër piraterisë audiovizive dhe në mbështetje të operatorëve të ligjshëm në treg.
Njëkohësisht, AMA u bën thirrje qytetarëve të mos blejnë produkte audiovizive të paligjshme, pasi ato nuk garantojnë cilësi dhe siguri shërbimi.


