Një rast i ri piraterie online është denoncuar sot nga kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi. Duke iu referuar subjektit të fundit të paligjshëm, të konstatuar, dënuar dhe denoncuar nga ekipet e inspektimit të Autoritetit, Krasniqi ka treguar historikun e gjurmimit dhe bllokimin e një rasti të kapur fillimisht në Kukës, si transmetues i paligjshëm IPTV, e me tej i transferuar në servera të tjerë nëpër Europë.
“Lufta kundër Piraterisë fitohet me partneritet dhe punë në skuadër”, ka shkruar në rrjetet e veta zyrtare sot, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi. Ajo ka sjellë në vëmendjen e publikun rastin e një subjekti IPTV, i paligjshëm, i kapur në Kukës, i cili operonte në rrjetin e brendshëm lokal. “Subjekti u ndëshkua në përputhje me ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive”, i ndryshuar. Serveri u sekuestrua dhe ndaj shkelësit u mor masa e ndëshkimit me gjobë 5 milion lekë. Pak ditë më vonë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar të Policisë së Shtetit, i njëjti subjekt, i shfaqur tashmë si OTT pirat dhe që aksesohej nga një IP publike shqiptare, u bllokua sërish. Domaini iu dërgua AKEP për mbyllje dhe rasti i tij u referua nga specialistët e AMA-s, në Prokurori”.
Por duket se teknologjia e ka vështirësuar punën e inspektorëve të AMA-s. Mundësia për të transmetuar nëpërmjet serverave jashtë Shqipërisë, ka shtuar edhe mundësitë e shkelësve të të drejtave të transmetimit, në përpjekjet e tyre për të operuar në tregun shqiptar.
Pas sekuestrimit dhe dënimit në Shqipëri, subjekti i paligjshëm e ka vazhduar aktivitetin e vet, në shkelje të të drejtave të transmetimit, duke përdorur, fillimisht serverë të vendosur në Gjermani, e pas bllokimit aty, edhe në Rumani.
“Falë bashkëpunimit të menjëhershëm me partnerët ndërkombëtarë, ku përmend Hetzner Online GmbH, në Gjermani, i njëjti subjekt shqiptar u bllokua sërish dhe aktiviteti i paligjshëm u ndalua”, ka shkruar Krasniqi. “Ndërsa sot, pas konstatimit nga ekipet e AMA-s, të të njëjtit subjekt, që operon mbështetur në servera rumunë, kemi lidhur kontaktet me NexonHost, dhe jemi në pritje që edhe kjo lidhje e re të pritet”.
Kryetarja e AMA-s i ka bërë thirrje publikut të denoncojë pranë Autoritetit çdo rast të ngjashëm piraterie.