Ekipet e AMA-s janë çdo ditë në terren në luftë kundër piraterisë ndërsa efektet pozitive janë të dukshme.
Gjatë ditës së djeshme, si rezultat i inspektimeve në terren, u konstatua IP Publike 109.236.44.109:8000, e cila korrespondon me URL, tvfix.site:8000, prej nga ushqehej një server Astra që shërbente për shpërndarje kanalesh.
Ky server është identifikuar nga ekipet e AMA-s pavarësisht tentativës së hajdutëve për të humbur gjurmët, duke e fikur atë, pikërisht në momentin e identifikimit.
Kryetarja e AMA-s shprehet se ky është një aksion që vazhdon dhe nuk do të ndalet ndërsa bartësit e IP publike duhet të nisin të mbajnë përgjegjësi për vjedhjen që kryhet, qoftë edhe pa bekimin e tyre.
“E them këtë pasi kemi identifikuar raste kur AKEP, me ankesë të AMA-s, iu kërkon të ndalojnë piratët dhe disa prej bartësve, edhe të mëdhenj, nuk reagojnë”-shton kryetarja e AMA Znj.Armela Krasniqi.