Pesë milionë lekë gjobë dhe raportim pranë AKEP-it, është masa e marrë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive ndaj një operatori të paligjshëm në Golem të Kavajës.
Inspektorët e AMA-s të cilët punojnë në terren, në këqyrje të tregut dhe identifikim të transmetimeve pirate, kanë konstatuar një server OTT, i cili transmetonte në mënyrë të paligjshme.
Në këtë server në paligjshmëri, pa të drejta transmetimi, shpërndaheshin për abonentë fundorë platformat shqiptare DigitAlb dhe Tring Tv, bashkë me paketën sportive, Tring Sport. Gjithashtu në transmetime të paautorizuara u gjetën edhe platforma ndërkombëtare dhe kanale sportive ndërkombëtare: Sky Sport, Bein Sport, Astro Supersport, Art Sport, etj.
Ekipet e inspektimit, kanë arritur të bllokojnë këtë operator pirat, të dhënat e të cilit ruheshin në servera jashtë Shqipërisë dhe të fshijnë të gjithë përdoruesit.
AMA vazhdon e palëkundur luftën kundër Piraterisë dhe gjithmonë në krah të operatorëve të ligjshëm, ndërsa i bën apel qytetarëve të mos blejnë produkte të paligjshme audiovizive, pasi nuk do të marrin shërbim.