E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Kujtesë mbi mbrojtjen e të drejtave të të miturve

Kujtesë mbi mbrojtjen e të drejtave të të miturve

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka marrë disa ankesa për shkelje të Kodit të Transmetimit gjatë raportimit të lajmit për vrasjen e një 12-vjeçari, në fshatin Palasë të Himarës, ngjarje e cila ka ndodhur më datë 17/08/2016. Pas kësaj, Këshilli i Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive mori menjëherë në shqyrtim materialet filmike të shfaqura pothuaj nga të gjitha subjektet audiovizive për raportimin e lajmit në fjalë dhe vijimin e tij, përkatësisht në datat 17 dhe 18 gusht 2016.

Pas vëzhgimit të kronikave televizive gjatë edicioneve informative të përsëritura madje disa herë, në datat 17–18 gusht 2016, në të gjitha subjektet audiovizive, janë evidentuar shkelje të parimeve themelore të veprimtarisë së transmetimeve audiovizive, standarteve profesionale bashkëkohore, shkelje të normave dhe kërkesave morale dhe etike në të cilat mbështetet Kodi i Transmetimit.

Konkretisht, në tituj ose në tekstet e kronikave informative janë përdorur shprehje të tilla, si: “…i preu kokën (viktimës)…”; “..duke i prerë kokën (viktimës)…”; “…mbante kokën e tij (të viktimës) në duar…”; “…në shtëpinë e tij autori mbante kokën e 12-vjeçarit…”; “mbante kokën e tij (të viktimës) në duar…”, “pasi e masakroi, i preu kokën (viktimës)…”; “…therte qentë e fshatit dhe u hante mishin të gjallë…” (kjo e fundit marrë nga rrëfimet e banorëve gjatë sinkroneve të tyre), etj. Shprehje dhe togfjalësha të tillë, që përbëjnë informacione sensitive lidhur mbi këtë akt kriminal, mund të ishin shmangur nga titujt dhe tekstet e lajmeve, pasi cenojnë rëndë dinjitetin e viktimës, që në rastin në fjalë është një i mitur, kategori për të cilën, Kodi i Transmetimit parashikon mbrojtje të veçantë.

Bazuar sa më sipër, megjithëse publikimi i këtij lajmi përbën interes të vecantë për opinionin publik, ai shkel të drejtat e fëmijëve dhe parimeve të sanksionuara në Ligjin Nr. 97/ 2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe Vendimin Nr. 1, datë 27. 01. 2014 “Për miratimin e Kodit të Transmetimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive”. Raportimi i hollësishëm i këtyre akteve të rënda në adresë të tyre më shumë sesa flet për ngjarjen, shton dhimbjen që ato lënë pas duke përbërë kështu dhe shkelje të etikës në gazetari.

Ndaj lind nevoja t’ju risjellim në vëmendje se, Kodi i Transmetimit, seksioni 1, pika 1.3 ka për qëllim të sigurojë pavarësinë dhe paanësinë e veprimtarisë së televizioneve, duke synuar që ato të bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshme për rolin dhe përgjegjësinë e tyre në transmetimin e programeve në përputhje me respektimin e lirive e të drejtave themelore të njeriut, me standardet dhe parimet etike e morale të shoqërisë, me respektimin në mënyrë të veçantë të të drejtave të të miturve, respektimin e privatësisë, dinjitetit, pluralizmit, paanësisë etj.

Pavarësisht përpjekjeve për të zbatuar parimet etike, në rastin e raportimeve mediatike për ngjarjen në Palasë, më datë 17/08/2016, konstatojmë se ka patur përsëritje të tepruar të detajeve të sipërcituara, duke cenuar personalitetin dhe dinjitetin e viktimës të të miturit 12-vjeçar.

Sa më sipër Këshilli i Ankesave në Autoritetin e Mediave Audiovizive vendos t’ju risjellë në kujtesë parimet ligjore dhe etike që duhet të ndiqni mbështetur në nenin 33, germa dh), i ligjit numër 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, dhe në Kodin e Transmetimit të AMA-s, seksioni 1, “Parime Themelore”, pika 1.3, 1.4, seksioni 2 “E drejta për Privatësi në Transmetimet Audiovizve” pika 2.8, 2.9, si dhe seksioni 5, “Fëmijët në transmetime audiovizive”, pika 5.1, dhe 5.2 për mosrespektim të të drejtave të të miturve në programet informative.

Nuk duhet hequr nga vëmendja se në çdo publikim, media duhet të konsiderojë mbrojtjen e interesit të fëmijës para çdo interesi tjetër.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 25 Gusht 2016                                                  

Perpara FTESË PËR NEGOCIATË
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara