Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi është takuar sot me përfaqësuesin e OSBE-së, z. Dan Bolger dhe ekspertin e medias, z. Andrei Richter, i cili ndodhet në Tiranë për të zhvilluar konsultime me institucionet publike dhe shoqatat mediatike mbi zhvillimet e fundit në media dhe ndikimin e dizinformimit në publikun e gjerë.
Gjatë këtij takimi, znj. Krasniqi i është përgjigjur interesit të z. Richter mbi punën e AMA-s dhe çështjet kryesore me të cilat është e angazhuar aktualisht. Ajo i ka shpjeguar ndryshimet ligjore të propozuara nga AMA, në ligjin “Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, nevojën e diktuar nga zhvillimi teknologjik për këto ndryshime dhe efektet që pritet të kenë në luftën kundër piraterisë. Gjithashu temë e bisedës ishte edhe puna e Këshillit të Ankesave, trajtimi me seriozitet dhe prioritet i çdo ankese që vjen nga individë, grupe individësh apo shoqata, transparenca për publikun, puna për Edukimin Mediatik si dhe bashkëpunimet me rrjetet europiane të enteve rregullatore, siç ishte pjesëmarrja e fundit në takimin e ERGA-s, ku Shqipëria ka rol vëshgues.
OSBE po zhvillon tryezat periodike të takimeve me partnerët e mediave në Shqipëri, tek të cilat AMA merr pjesë aktive për të prezantuar veprimtaritë e saj dhe progresin e vazhdueshëm mbi zbatimin e angazhimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në BE.