E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi raporton në Kuvendin e Shqipërisë për punët e kryera gjatë vitit 2024

Përpara deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, kryetarja e AMA-s, Znj Armela Krasniqi, prezantoi disa nga prioritetet e punës së institucionit gjatë vitit 2024. Ajo renditi ndër të parat detyra të realizuara, përmbushjen e cilësisë dhe efektivitet e rolit mbikëqyrës e rregullator të AMA-s, falë funksionimit të Autoritetit si një ent plotësisht i pavarur në ushtrimin e detyrave. “Ky objektiv është përmbushur, falë funksionimit të Autoritetit, si një ent plotësisht i pavarur në ushtrimin e detyrave, sipas përcaktimeve ligjore. E theksoj këtë fakt, me argumentin e drejtimit dhe vendimmarrjes së institucionit, nga një Bord Drejtues i sugjeruar 100% nga shoqëria civile dhe i miratuar nga Parlamenti, pavarësisht pretendimeve që shfaqen në krye të herës aktorë të ndryshëm qoftë edhe vetë shoqëria civile”, ka thënë ajo. “Me rreth 500 vendime të marra gjatë drejtimit të këtij institucioni, mbi 60% e tyre kanë qenë me dakordësi unanime, të shprehura përmes procesit të votimit, çka tregon se ky Bord i është bindur vetëm ligjit. Ndër këto vendime, përfshihen 9 vendime për çelje gare për përdorim të frekuencave, 123 dhënie licencash/autorizimesh apo rinovim të tyre, 11 monitorime fushatash zgjedhore për: zgjedhje lokale, apo të përgjithshme apo të pjesshme në bashki të ndryshme të vendit. Ndër këto rreth 500 vendime përmend: 24 akte të ndryshme nënligjore, 9 heqje autorizimi/licence etj. Në morinë e këtyre vendimeve, asnjë prej tyre nuk është pretenduar qoftë nga shoqëria civile, qoftë nga vetë industria apo nga partitë politike, si i marrë me ndikim politik”- shtoi kryetarja e AMA-s para deputetëve.

Po kështu përmirësimet ligjore dhe përafrimi me standardet e BE-së është janë prioritet i institucionit që ajo drejton. Ajo veçoi punën e bërë për rregullimet ligjore, siç është miratimi i Rregullores; “Për kriteret dhe procedurat e shqyrtimit të ndryshimeve në strukturën e pronësisë dhe transparencën e të dhënave të lidhura me pronësinë e OSHMA-ve”. “Ky akt i rëndësishëm nënligjor trajton në mënyrë të posaçme, Transparencën në Strukturën Pronësore dhe Deklarimin e të Dhënave të tjera të lidhura me licencën/autorizimin prej OSHMA-ve, duke bërë përafrim fillestar të Rregullores me dispozitat e Aktit Europian për Lirinë e Medias, si dhe transpozimin e Direktivës 2018/1808 të BE-së”, ka thënë ajo. Aktualisht AMA ka përgatitur dhe paraqitur grafikisht në faqen zyrtare ueb, transparencën e strukturës së pronësisë së shoqërive/individëve të pajisur me licencë/autorizim nga AMA, po ashtu ka bërë transparencë mbi pronarin përfitues direkt apo indirekt të këtyre subjekteve që ushtrojnë aktivitetet audio dhe audioviziv në Republikën e Shqipërisë. Baza e të dhënave është një model i përzgjedhur mes rregullatorëve europian dhe konkretisht është marrë modeli i rregullatorit portugez, ERC falë edhe MoU të nënshkruar mes dy institucioneve.

 

“Po punojmë për përshtatje të reja ligjore me dy akte shumë të rëndësishme, Akti Europian për Lirinë e Medias, EMFA dhe Akti Europian i Shërbimeve Digjitale, DSA” tha Znj. Krasniqi. Ajo shpjegoi se u përmirësua kuadri ligjor duke përfshirë Platformat e Shpërndarjes së Videove, me qëllim rregullimin e kushteve të përgjithshme të ofrimit të përmbajtjeve audiovizive nga përdoruesit në këto Platforma. Bashkëpunimi me Platformën TikTok mundësoi heqjen e qindra përmbajtjeve të dëmshme të publikuara aty dhe qindra produkteve audiovizive pirate.

Kryetarja e AMA-s Znj. Krasniqi foli përmes shifrave dhe për punën e bërë në garantimin e ligjshmërisë së tregut audio dhe audioviziv si më poshtë:

349 ankesa të trajtuara nga Këshilli i Ankesave

393 kontrolle të aktivitetit të OSHMA-ve

Mbyllje e 20 serverave që transmetonin përmbajtje audiovizive pa të drejta

Identifikim dhe kërkesë pranë rregullatorit të komunikimeve elektronike për marrjen e masave, për 346 faqe online që kryenin shkelje të ligjit, duke shitur produkte audiovizive pa të drejta

Verifikim i 241 rasteve të transmetimeve audio/audiovizive për përputhshmërinë e tyre me kërkesat ligjore

Nxitje e procesit të Matjes së Audiencës deri në krijimin e Komitetit të Përbashkët të Industrisë.

 

Me herët kryetarja e AMA-s Znj. Krasniqi raportoi përpara Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.

Perpara Analiza 9-mujore, 132 raste të shqyrtuara nga AMA mbi përmbajtjet e emetuara nga televizionet
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara