E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi ka prezantuar sot para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Raportin Vjetor të vitit 2023. Më poshtë fjala e plotë:

 

Përmbushja e detyrimeve ligjore si mbikqyrës dhe rregullator të medias audio dhe audiovizive shqiptare, si dhe përshtatja me sfidat aktuale të tregut mediatik, kanë qenë objektiv i punës së Autoritetit të Mediave Audiovizive. Gjatë vitit 2023 kemi realizuar objektivat tanë profesionalë, bazuar në disa përparësi kryesore që nisin që nga rritja e standardit të punës dhe përafrimi me atë të një rregullatori europian, deri tek cilësia dhe shërbimi ndaj qytetarëve për të siguruar një treg mediatik profesional dhe në interes të tyre. 

Ndër prioritetet kryesore të AMA-s gjatë vitit të kaluar përmend së pari, një nga objektivat tanë kryesorë, atë të përafrimit të standarit të punës me atë të BE-së, në mbështetje të garantimit të një tregu audio dhe audioviziv me tipare edhe më plurale dhe ofertë të shumëllojshme dhe cilësore për publikun. Drejt këtij qëllimi kemi punuar duke zgjeruar kapacitetet për mirëfunksionimin e brendshëm institucional.

Një objektiv i arritur me sukses, si një hap i mëtejshëm drejt BE-së sa i takon transmetimeve audiovizive, ishte miratimi nga Kuvendi në prill 2023, i ndryshimeve në ligjin nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, proces që njihet dhe si transpozimi i Direktivës së BE-së 2018/1808. Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve më 25 maj 2023, ka krijuar kushte konkrete për hapa përpara në drejtim të garantimit të së drejtës së informimit dhe lirisë së shprehjes. Këto ndryshime kanë ndihmuar gjithashtu edhe në rritjen e transparencës së pronësisë së ofruesve të shërbimeve mediatike audiovizive; të mbrojtjes më shumë të dinjitetit, të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, veçanërisht të fëmijëve; të nxitjes së vetërregullimit dhe bashkërregullimit, si një plotësim i mekanizmave legjislativë, gjyqësorë dhe administrativë apo edhe të rritjes së aksesit në përmbajtjet audiovizive për personat me aftësi të kufizuar.

Hapi i dytë i hedhur pas këtyre ndryshimeve përmirësuese në ligjin tonë organik, gjatë 6-mujorit të dytë të 2023, kemi vijuar punën për konceptimin, hartimin, konsultimin me grupet e interesit dhe miratimin e akteve nënligjore, të domosdoshme për qartësimin dhe lehtësimin e zbatueshmërisë së këtyre ndryshimeve të rëndësishme. Konkretisht, bazuar në modelet e legjislacionit gjerman, portugez dhe të Maqedonisë së Veriut, hartuam një Projekt-Rregullore që trajtonte në mënyrë të posaçme transparencën në strukturën pronësore dhe deklarimin e të dhënave të tjera të lidhura me licencën/autorizimin prej OSHMA-ve. Kjo Rregullore, e miratuar tashmë, pasi kaloi të gjitha hallkat e parashikuara ligjore të këshillimit me grupet e interesit, ka sjellë risi sa i takon shqyrtimit nga ana e Autoritetit të ndryshimeve të ndodhura në strukturën pronësore brenda të njëjtit person juridik OSHMA, mbajtës i licencës ose i autorizimit nga AMA; në shqyrtimin e ndryshimeve në strukturën pronësore mes personave juridikë privatë OSHMA, në rastet e hyrjes në marrëdhënie juridike civile, të cilat passjellin cedimin ose kalimin e të drejtave që burojnë nga licenca ose autorizimi; deklarimin e informacionit mbi përbërjen e strukturës së pronësisë së personit juridik OSHMA, mbajtës i licencës ose i autorizimit nga AMA, duke përfshirë pronarin përfitues; transparencë të shtuar mbi origjinën e burimeve të financimit për kryerjen e transaksioneve tregtare të kapitalit të shoqërisë mediatike prej ortakut/aksionerit; deklarim të çdo lloj konflikti të mundshëm interesi që ndikon në veprimtarinë e OSHMA-së prej pronarëve.

Theksoj se Rregullorja përmban dhe një propozim konkret për transparencën e strukturës pronësore të medias, në përafrim me Aktin Europian të Lirisë së Medias (EMFA).

Gjatë vitit 2023, AMA ka punuar gjithashtu edhe për hartimin apo ndryshimin e akteve të tjera nënligjore, me qëllim përmirësimin e aktivitetit të institucionit dhe lehtësimin e veprimtarisë së operatorëve audio/audiovizivë. Procesi i hartimit të kuadrit nënligjor është shoqëruar në vijimësi, me kryerjen këshillimit publik. Përmend ndër të tjera, miratimin e Rregullores “Për procedurat dhe kriteret për dhënien e licencës së transmetimit audio analoge”; “Mbi procedurat për shqyrtimin e ankesave nga Këshilli i Ankesave dhe të drejtën e përgjigjes”; rregullores “Mbi kriteret dhe procedurat për shqyrtimin dhe miratimin dhe zbatimin e projekteve”, etj.

Në kuadër të këtij procesi, AMA organizoi një tryezë të rrumbullakët me të gjithë aktorët e interesuar për të marrë mendime, sugjerime dhe komente përkatësisht nga të gjitha palët e interesuara, sidomos OSHMA-të të cilat preken/përfitojnë drejtpërdrejt nga ndryshimet e propozuara në ligj. Ndryshimet janë hedhur për konsultim publik.

Gjithashtu gjatë vitit 2023 kemi ndërmarrë një nismë shumë të rëndësishme që ka të bëjë me një proces rregullues për tregun mediatik, atë të Matjes së Audiencës. Në fund të vitit të kaluar, AMA nisi diskutimet me grupet e interesit. Në takime e organizuara me OSHMA dhe shoqata marketingu, kemi prezantuar modele konkrete të aplikimeve për Matjen e Audiencës nga shtetet anëtare të BE-së, si modele që mund të përshtaten për dinamikën e zhvillimit të tregut audioviziv në vendin tonë. Në këtë proces, që ka vazhduar edhe me hapa të mëtejshëm të rëndësishëm, AMA ka luajtur rol nxitës.

Konsolidimi i performancës së institucionit u finalizua gjatë vitit 2023 me miratimin e një prej akteve nënligjore më të rëndësishme, atë të Kodit të Transmetimit. Ky Kod përcjell standardet europiane të tregut audio dhe audioviziv në Shqipëri.

Këshilli i Ankesave, si njësia e ngarkuar për manaxhimin e këtij procesi, gjatë vitit 2023 zbatoi kalendarin e konsultimeve publike për Kodin, me organizimin e tryezave gjeneraliste në qarqet, Shkodër/Lezhë, Kukës, Dibër, Elbasan, Korçë, Durrës, Gjirokastër, Berat, Fier, Vlorë, ku morën pjesë përfaqësues të OSHMA-ve, organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve në nivel qendror dhe vendor, partnerë vendas dhe ndërkombëtarë. Për të arritur deri në variantin final të miratuar të Kodit të Transmetimit, kemi marrë mendimet e

87 profesionistë të medias dhe përfaqësues të OSHMA-ve, 78 përfaqësues të shoqatave të grupeve të prekura të interesit, 79 ekspertë të medias dhe komunikimit, 70 përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore si edhe 17 ekspertë dhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare. Përfaqësitë e Këshillit të Europës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë në Tiranë, të cilat e ndoqën afër të gjithë procesin, mundësuan edhe tërheqjen e mendimit të ekspertit të Këshillit të Europës për Projektkodin.

Në përfundim, Kodi i Ri i Transmetimit përmban 11 Seksione, kundrejt 8 syresh që përmbante Kodi paraardhës. Veçoj si shumë të rëndësishme seksionet e shtuara në Kodin e ri të Transmetimit që kanë të bëjnë me “Luftën kundër diskriminimin dhe promovimin e barazisë gjinore” dhe “Parandalimin dhe luftimin e gjuhës së urrejtjes në transmetimet audiovizive”. Këto dhe ripërpunimi dhe zgjerimi në masën 60% seksioneve të tjera sollën si produkt përfundimtar një Kod të ri Transmetimi, profesional, që mbështetet në parimet themelore të veprimtarisë së transmetimeve audio dhe audiovizive, në standardet më të arrira profesionale bashkëkohore, në normat dhe kërkesat morale dhe etike si edhe në praktikën e deritanishme të veprimtarisë audio dhe audiovizive në Republikën e Shqipërisë.

Të nderuar deputetë,

Mundësi të reja të qasjes së personave me aftësi të kufizuar në përmbajtjet audiovizive ka qenë gjithashtu një prioritet i punës tonë gjatë vitit 2023. Duke e konsideruar tejet të rëndësishëm shërbimin e interpretimit në gjuhën e shenjave për Personat që nuk Dëgjojnë, një detyrë e dhënë edhe në Rezolutën e Kuvendit, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka qenë prej kohësh në komunikim të vazhdueshëm, jo vetëm shkresor, me operatorët audiovizivë, duke kërkuar dhe nxitur marrjen e masave konkrete për ofrimin e shërbimit të interpretimit në gjuhën e shenjave, siç është edhe e parashikuar në ligjin organik të AMA-s. Nga studimi i tregut rezultonte që vetëm operatori publik, RTSH, aplikonte shërbimin e interpretimit në gjuhën e shenjave për Personat që nuk Dëgjojnë, në përmbledhjen e lajmeve javore. Por nga komunikimet me operatorët e tjerë, bazuar gjithashtu, edhe në përgjigjet e Shoqatës Kombëtare Shqiptare të Personave që nuk Dëgjojnë dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, rezultonte se kishte një mungesë të theksuar të interpretëve të licencuar të gjuhës së shenjave. Nisur nga kjo, për të gjetur një zgjidhje, ftuam dhe pasi diskutuam me përfaqësues të televizioneve, ramë dakort që AMA të luante rol ndërmjetës në proces: pra në gjetjen e kontakteve të personave të licencuar si interpret të gjuhës së shenjave, diskutimin dhe ndërmjetësimin me ta për mundësinë e bashkëpunimit me televizionet dhe kur kjo dakordësi të arrihej, vendosjen e këtyre kontakteve në dispozicion të televizioneve, në mënyrë që ata të vazhdonin lidhjet kontraktuale me ta, për t’i përfshirë në edicionet informative. Nga kërkimet më të thelluara u sigurua kontakti me tre interpretët e vetëm të licencuar për gjuhën e shenjave dhe në përfundim të këtij procesi ndërmjetësimi nga AMA, u arrit që edhe dy televizionet kombëtare, Top Channel dhe Tv Klan të përfshinin interpretin e gjuhës së shenjave në të paktën, një edicion informativ në javë. Përmbushja e këtij detyrimi ligjor do të vazhdojë të jetë në vëmendjen tonë, deri sa të mbushet boshllëku i interpretëve të licencuar ne treg.

Në vijim të përmbushjes së detyrimeve tona ligjore, duke e trajtuar edhe një nga objektivat kryesore të punës tonë, gjatë vitit 2023 kemi pritur e trajtuar me kujdes çdo ankesë të mbërritur në AMA me objekt përmbajtjen e ofertës audiovizive. Për vitin 2023, numri i ankesave është rritur me 7.9%, tregues ky i rëndësishëm i ndërgjegjësimit të publikut për standardet audiovizive dhe i rritjes së besimit tek institucioni. Nga gjithsej 390 ankesa të shqyrtuara nga Këshilli i Ankesave në këtë peridhë, 89% u dërguan nga individë, 4.7% nga shoqëria civile, 3% nga studio ligjore, 2% nga institucione dhe 1.3%  nga subjekte tregtare. Pjesa më e madhe e ankesave, ose 59.5 % e tyre ishin për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe etikës së komunikimit; 16.4 % mbi shkeljen e të drejtave të fëmijëve dhe privatësisë së tyre; 3.6 % mbi komunikimet tregtare në median audiovizive etj.

Në kuadrin e administrimit të ankesave, Këshilli i Ankesave u ka kërkuar OSHMA-ve paraqitje pretendimesh në 12.6% të rasteve, ka organizuar seanca dëgjimore në 2 raste, ka paralajmëruar me “Tërheqje vëmendjeje” në 49.2% të rasteve dhe me sanksion financiar në 6 syresh.

Gjithashtu me qëllim përmirësimin e ofertës programore, në interes të publikut, një nga angazhimet e AMA-s është edhe shqyrtimi tematik i përmbajtjeve të emetuara. Në mënyrë sistematike është bërë monitorimi dhe vlerësimi i përmbajtjeve të transmetuara, me fokus shkeljet etike në përgjithësi; mbrojtja e fëmijëve, gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit, reklamat dhe komunikimet tregtare; respektimi i sinjalistikës paralajmëruese në fasha kohore të caktuara; buketa programore të RTSH-së, në zbatim të kërkesave të Kontratës së Shërbimit etj. Nga ky proces theksoj se, gjatë vitit 2023, ekipet e monitorimit dhe të analizës kanë realizuar verifikimin dhe shqyrtimin e 114 rasteve të transmetimeve audio/audiovizive për përputhshmërinë e tyre me kërkesat ligjore. Nga ky verifikim janë konstatuar 49 raste shkeljesh me tipologji si më poshtë:  55% e rasteve reklama të fshehta; 33% shkelje etike dhe mbrojtja e të miturve; 10% reklama mbi shëndetin dhe medikamentet dhe 2% reklama politike. Për 49 prej shkeljeve të konstatuara, Autoriteti iu është drejtuar OSHMA-ve me shkresa zyrtare duke tërhequr vëmendjen për 48 raste, ndërkohë që në një rast ka vendosur sanksion me gjobë.

Vlerësoj si të rëndësishme për tu theksuar faktin se, shqyrtimet dhe tërheqjet e vëmendjes kanë sjellë ndikim pozitiv në veprimtarinë e OSHMA-ve, sidomos në kujdesin që po tregohet prej tyre në transmetimin e reklamave mbi shitjen e barnave pa recetën e mjekut. Po ashtu, ka reflektim nga redaksitë audiovizive sa i takon mostransmetimit të reklamave mbi barnat, kur ato bëhen nga moderatorët e programeve apo të ftuarit në programe të ndryshme.

Veprimtaria inspektuese është gjithashtu një detyrë funksionale që ndiqet me shumë rigorozitet nga ekipet e AMA-s. Përmes grupeve të inspektimit, gjatë vitit 2023 janë zhvilluar 332 kontrolle të aktivitetit të OSHMA-ve. Nga këto 168 janë inspektime të kryera në bazë të ankesave dhe 164 janë monitorime kryesisht, duke konkluduar në 9 vendime për sanksione me gjobë ndaj subjekteve OSHMA, për 3 raste të tjera është vendosur tërheqja e vëmendjes ndaj tyre.

Gjithashtu për respektimin e të drejtave të transmetimit, Autoriteti, gjatë vitit 2023 ka kryer një numër të konsiderueshëm inspektimesh të subjekteve kabllore/IPTV/OTT në terren. Një fokus të veçantë ka pasur inspektimi dhe monitorimi i subjekteve audiovizive në lidhje me cilësinë e sinjalit si dhe përmbajtjen e programeve. Inspektimet janë kryer nga ankesat e depozituara nga subjektet mbajtës të së drejtës, por dhe kryesisht nga AMA. Fenomeni i vënë re është që, pjesa dërrmuese e ankesave për shkeljen e të drejtave të transmetimit, gjatë vitit 2023, lidhet me fenomenin e piraterisë televizive që kryhet nga subjekte të paautorizuara nga AMA për ofrimin e shërbimit audioviziv. Konkretisht, bëhet fjalë për subjekte ISP (Internet Service Provider), të cilët nëpërmjet internetit kryejnë pirateri televizive pa autorizim nga AMA. Për këtë fenomen, AMA, ka përcjellë pranë AKEP-it 28 praktika zyrtare, me qëllim marrjen e masave, për mbylljen e 128 faqeve online, të cilat kryenin shkelje të ligjit 97/2013, i ndryshuar.

Lidhur me të njëjtin fenomen, Drejtoria e Inspektimit dhe Mbikëqyrjes u ka kërkuar aplikacioneve dhe Platformave të ndryshme të Shpërndarjes së Videove (VSP-të) heqjen nga llogaritë e tyre të 19 linq-eve, të cilët transmetonin produkt audioviziv pa të drejta transmetimi.

Përveç kësaj, AMA, në zbatim të Memorandumit AMA-AKEP, i cili parashikon dhe ngritjen grupeve të përbashkëta të të inspektimit, gjatë vitit 2023, ka kryer 16 kontrolle të përbashkëta, në ISP në gjithë territorin e vendit.

Fenomeni i piraterisë televizive që kryhet nëpërmjet internetit, është një fenomen sa shqetësues aq dhe i komplikuar për t’u identifikuar, për arsye se në shumicën e rasteve produkti audioviziv që transmetohet abuzivisht, vjen nga servera të vendeve të ndryshme të botës dhe nuk janë të pozicionuara në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, identifikimi i tyre bëhet shumë i vështirë.

Të nderuar deputetë,

Siç e theksova në krye të herës, një nga prioritetet tona është edhe rritja e standardit të punës së AMA-s dhe përafrimin me atë të një rregullatori europian. Për t’ia arritur këtij qëllimi, përgjatë vitit 2023 kemi ndjekur një axhendë të rëndësishme takimesh dhe pjesëmarrjesh në konferenca ndërkombëtare, me institucione të BE-së dhe autoritete rregullatore homologe në rajon dhe Europë.

Një aktivitet i rëndësishëm i kësaj fushe është organizimi nga AMA, në shtator të vitit 2023, të Asamblesë Plenare të 22-të të Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore, MNRA, si një hapësirë diskutimi profesional të nivelit të lartë mbi realitetet dhe sfidat globale të transmetimeve audio/audiovizive. Në këtë konferencë, e para e këtij lloji në Shqipëri, morën pjesë drejtues dhe ekspertë nga rregullatorët e vendeve që përfshijnë rajonin e Evropës Juglindore, vendeve anëtare të BE-së, Presidenti i ERGA-s, përfaqësues të lartë nga UNESCO dhe drejtues të rëndësishëm të platformave të mëdha të shpërndarjes së videove, si META, Tik-Tok, etj. Me votim unanim të delegacioneve anëtare të MNRA, Shqipëria mori Presidencën e radhës.

Përfaqësime në nivele të larta janë shënuar edhe në aktivitete të tjera gjatë vitit 2023, ku janë trajtuar zhvillimet e fundit teknologjik të transmetimit, siç janë dy Asambletë Plenare të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), apo dy takimet dypalëshe me organizatën Ëorld Dab 2023, e cila ofron ekspertizë globale në zbatimin e procesit të sinjalit të radios digjitale DAB+, të cilin Shqipëria synon t’a implementojë në të ardhmen e afërt.

Si angazhime të tjera të rëndësishme në arenën ndërkombëtare theksoj se ato kanë qenë të një rëndësie të veçantë, si në kuadër të integrimit në BE-së dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar me direktivat e BE-së, ashtu edhe në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave më të mira mes autoriteteve rregullatore për çështje delikate me të cilat përballet mjedisi mediatik sot. Ndër to, mund të përmend takimet e organizuara nga Grupi i Rregullatorëve Evropianë për Shërbimet Mediatike Audiovizive (ERGA), Platforma Evropiane e Autoriteteve Rregullatore (EPRA), Forumi i Autoriteteve Rregullatore të Transmetimeve të Detit të Zi (BRAF), Observatori Europian Audioviziv etj.

Një impenjim serioz dhe i rëndësishëm për AMA-n është edhe angazhimi monitorues gjatë fushatave zgjedhore. Gjatë vitit 2023, AMA u përfshi në procesin e monitorimit të mënyrës se si e mbuluan OSHMA-të fushatën zgjedhore për rastin e përsëritjes së zgjedhjeve për kryetar në Bashkinë Kukës, datë 24 shtator 2023. Bazuar në formatin përmbajtësor të OSHMA-ve, mbulimin me sinjal në territorin e vendit, si dhe kapacitetet ekzistuese teknike të AMA-s, u krye monitorimi i transmetimeve audiovizive të 20 subjekteve të licencuar. Në bazë të vendimit të Komisionit Rregullator të KQZ-së për “metodologjinë e monitorimit të medias audio dhe audiovizive”, të datës 30 Janar 2021, gjatë periudhës 11-24 shtator 2023, AMA kishte në fokus, kohën e monitorimit të secilës OSHMA, për transmetimet gjatë orarit 08:00-24:00; minutazhin e transmetimeve për secilin subjekt zgjedhor; hapësirën për çdo subjekt politik; radhën e vendosjes së kandidatëve në edicionet informative; transmetimet e drejtpërdrejta (live); raportin gjinor sa i takon mbulimit mediatik të kandidatëve apo edhe prezantimin e sondazheve zgjedhore.

Në mënyrë periodike AMA ka dërguar pranë KQZ-së të dhënat e monitorimit, të cilat janë publikuar nga ky institucion në faqen zyrtare online.

Edukimi Mediatik është një tjetër angazhim serioz dhe i rëndësishëm i AMA-s, për vetë peshën që ai ka në mjedisin e ri mediatik që zhvillimi tekonlogjia ka ofruar. Ne fund të vitit 2023 ne nisëm një fushatë ndërgjegjësese për prindërimin digjital, për mbrojtjen nga rreziqet që vijnë nga interneti, mbrojtjen e të dhënave personale etj. Në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Radio-Televizionit Turk, RTUK, realizuam një paketë prej më shumë se 20 videosh informuese/ndërgjegjësuese për fëmijët dhe prindërit, me synim aftësimin e të gjitha palëve në përdorimin, në mënyrë të dobishme, të padëmshme dhe të sigurtë të ofertës televizive, si edhe për të mundësuar orientim, lundrim të sigurt dhe prindërim efektiv në mjedisin digjital. Ne funksion të kësaj janë publikuar në uebin zyrtar të AMA-s dhe në llogaritë e Autoritetit në rrjetet sociale, disa video sensibilizuese të animuara me objekt “Shenjat paralajmëruese” ose sinjalistikën e detyrueshme, sipas ligjit, për t’u përdorur prej OSHMA-ve, me qëllim orientimin moshor të publikut (prindër dhe fëmijë) në programet e ofruara prej tyre dhe disa video të tjera me objekt “Prindërimin digjital”. Fushata vazhdon dhe ky proces do të jetë gjatë në fokus të punës tonë.

Si një objektiv i rëndësishëm, mbi të gjitha shumë funksional për tregun aktual audioviziv, transparencën, studimin dhe vlerësimin e tij, është edhe publikimi nga AMA, i Buletinit Periodik. Edicioni i 9 i këtij buletini, përkon me periudhën 1 janar – 31 Dhjetor dhe është një përmbledhje dhe pasqyrë shumëdimensionale e tregut mediatik. AMA është institucioni i vetëm në Republikën e Shqipërisë që prodhon të dhëna mbi burimet njerëzore të angazhuara në OSHMA-të e licencuara. Një aspekt i rëndësishëm në Buletinin Periodik është transparenca e OSHMA-ve në strukturimin pronësor, pjesëmarrja pronësore për secilën OSHMA, përmbajtjet e transmetuara nga OSHMA-të kombëtare, etj. Gjithashtu, në Buletinin Periodik nr. 9, paraqitet në formë tabelore numri i programeve pa pagesë në Republikën e Shqipërisë, ndarë në 12 qarqe.

Gjithashtu bashkëpunimi me partnerë të ndryshëm që punojnë në fushën e medias, i ka shërbyer Autoritetit për mbështetjen e realizimin e projekteve në dobi të përmirësimit të raportimit në median audiovizive, të pasurimit të literaturës profesionale, në interes të standardizimit të raporteve mes punëdhënësit dhe punëmarrësit etj. Në bashkëpunim me ekspertët përkatës është realizuar projekti, “Trajtimi në median audiovizive i rasteve të trafikimit të personave, si dhe respektimi e garantimi i ruajtjes së jetës private të viktimave të trafikimit, veçanërisht të të miturve si kategoria më vulnerabël”, i ndarë në dy komponentë, në fund të së cilit u hartuan dy Udhëzues që u vijnë në ndihmë gazetarëve që raportojnë mbi trafikimin e qenieve njerëzore. Në këtë sektor të punës tonë përmend edhe projektet, “Televizioni linear në rrjetet sociale”, një bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës apo “Java e Edukimit Mediatik”, si bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias. Me bindjen, se “siguria e gazetarëve dhe profesionistëve të medias është thelbësore në garantimin e lirisë dhe integritetit të medias”, në vitin 2023 nisëm edhe projektin me temë, “Siguria e profesionistëve të medias audiovizive (gazetarëve dhe kameramanëve) në situata protestash dhe demonstratash”. Në fund të këtij projekti parashikohet të përftohet një studim i bazuar në metoda kërkimi cilësor, me rekomandime specifike, për mënyrën e sjelljes dhe raportimit të profesionistëve (gazetarëve dhe kameramanëve) të mediave audiovizive në kohë reale gjatë protestave dhe demonstratave. Me qëllim gjithëpërfshirjen e aktorëve të interesit, pjesë e këtij studimi do të jenë, nga njëra anë gazetarët dhe kameramanët në terren dhe nga ana tjetër, përfaqësuesit e Policisë së Shtetit.

Tjetër angazhim i rëndësishëm ka qenë edhe tradita e publikimeve, nga të cilat përmendim përkthimin në shqip të librit, “Gjuha e urrejtjes ndaj grave në internet: Koncepte dhe kundërmasa” etj.

Të nderuar,

Veprimtaria dhe aktiviteti i Autoritetit të Mediave Audiovizive është një angazhim shumëdimensional, i bazuar në detyrimet ndaj ligjit, me qëllim mbikqyrjen dhe rregullimin e tregut audio dhe audioviziv, por në mënyrë të veçantë, edhe në përshtatje me realitetet dhe sfidat që përballet tregu mediatik sot. Kjo e fundit është një sfidë që kërkon përditësim të vazhdueshëm dhe bashkëpunime profesionale me institucionet europiane, në mënyrë që përballja me këto sfida të jetë, jo vetëm produktive, por edhe në mbrojtje të lirive të njeriut, të së drejtës së fjalës, të informimit dhe lirive të tjera themelore. Dinamika e punës së AMA-s shikohet në çdo rast në raport me kërkesat dhe nevojat konkrete të publikut, ndërtohet mbi standardet e përafruara vazhdimisht me ato të BE ku Shqipëria aderon të jetë pjesë dhe mbi baza të forta profesionale.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Perpara Kryetarja e AMA-s në raportimin vjetor në Kuvendin e Shqipërisë: Jemi në bisedime me Platformat e mëdha të Shpërndarjes së Videove. Përmbajtjet e dëmshme online dhe pirateria televizive mbeten shqetësim
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara