E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi ka prezantuar sot para deputetëve të Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Raportin Vjetor të vitit 2023. Më poshtë fjala e plotë:

Të nderuar deputetë, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik

Gjatë vitit 2023, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vijuar punën me masa dhe plane veprimi, për të përmbushur me rigorozitet dhe profesionalizëm, në përshtatje edhe me sfidat aktuale të tregut mediatik, detyrën e mbikqyrjes dhe rregullimit të mëtejshëm të medias audio dhe audiovizive shqiptare.

Unë do të përmbledh sot, shkurtimisht, disa nga përparësitë dhe angazhimet kryesore të Autoritetit të Mediave Audiovizive, gjatë vitit të kaluar, për të cilat informacione të zgjeruara, ju i keni në Raportin Vjetor.

Përmend së pari, një nga prioritetet tona, rritjen e standardit të punës së AMA-s, përafrimin me atë të një rregullatori, vend anëtar i BE-së, në mbështetje të garantimit të një tregu audio dhe audioviziv me tipare edhe më plurale, duke ofruar për ndjekësit produkte të shumëllojshme dhe cilësore. Po ashtu, duke mos ndalur procesin përmirësues në efektivitetin e rolit mbikëqyrës dhe rregullator të AMA-s, përmes zgjerimit të kapaciteteve në drejtim të mirëfunksionimit të brendshëm institucional.

Një mbështetje reale për kursin proevropian të Shqipërisë në transmetimet audiovizive ishte miratimi nga Kuvendi më 13 prill 2023, i ndryshimeve në ligjin nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, proces që njihet dhe si transpozimi i Direktivës së BE-së 2018/1808. Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve më 25 maj 2023, krijon kushte konkrete për hapa përpara në drejtim të garantimit të së drejtës së informimit dhe lirisë së shprehjes; të rritjes së transparencës së pronësisë së ofruesve të shërbimeve mediatike audiovizive; të mbrojtjes më shumë të dinjitetit, të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, veçanërisht të fëmijëve; të nxitjes së vetërregullimit dhe bashkërregullimit, si një plotësim i mekanizmave legjislativë, gjyqësorë dhe administrativë apo edhe të rritjes së aksesit në përmbajtjet audiovizive për personat me aftësi të kufizuar.

Pas këtyre ndërhyrjeve përmirësuese në ligjin tonë organik, gjatë 6-mujorit të dytë të 2023, kemi vijuar punën për konceptimin, hartimin, konsultimin me grupet e interesit dhe miratimin e akteve nënligjore, të domosdoshme për qartësimin dhe lehtësimin e zbatueshmërisë së këtyre ndryshimeve të rëndësishme. Konkretisht, bazuar në modelet e legjislacionit gjerman, portugez dhe të Maqedonisë së Veriut, hartuam një Projekt-Rregullore që trajtonte në mënyrë të posaçme transparencën në strukturën pronësore dhe deklarimin e të dhënave të tjera të lidhura me licencën/autorizimin prej OSHMA-ve. Kjo Projekt-Rregullore propozonte risi mbi shqyrtimin nga AMA të ndryshimeve të ndodhura në strukturën pronësore brenda të njëjtit person juridik OSHMA, mbajtës i licencës ose i autorizimit nga AMA; shqyrtimin e ndryshimeve në strukturën pronësore mes personave juridikë privatë OSHMA, në rastet e hyrjes në marrëdhënie juridike civile, të cilat passjellin cedimin ose kalimin e të drejtave që burojnë nga licenca ose autorizimi; deklarimin e informacionit mbi përbërjen e strukturës së pronësisë së personit juridik OSHMA, mbajtës i licencës ose i autorizimit nga AMA, duke përfshirë pronarin përfitues; transparencë të shtuar mbi origjinën e burimeve të financimit për kryerjen e transaksioneve tregtare të kapitalit të shoqërisë mediatike prej ortakut/aksionerit; deklarim të çdo lloj konflikti të mundshëm interesi që ndikon në veprimtarinë e OSHMA-së prej pronarëve.

Ky projekt, i cili tanimë e ka përfunduar procesin e këshillimit me grupet të interesit dhe është miratuar, përmban dhe një propozim konkret për transparencën e strukturës pronësore të medias, në përafrim me Aktin Europian të Lirisë së Medias (EMFA).

Gjatë vitit 2023, AMA ka punuar gjithashtu edhe për hartimin apo ndryshimin e akteve të tjera nënligjore, me qëllim përmirësimin e aktivitetit të institucionit dhe lehtësimin e veprimtarisë së operatorëve audio/audiovizivë. Procesi i hartimit të kuadrit nënligjor është shoqëruar në vijimësi, me kryerjen këshillimit publik. Ndër të tjera përmenden, miratimi Rregullores “Për procedurat dhe kriteret për dhënien e licencës së transmetimit audio analoge”; “Mbi procedurat për shqyrtimin e ankesave nga Këshilli i Ankesave dhe të drejtën e përgjigjes”; rregullores “Mbi kriteret dhe procedurat për shqyrtimin dhe miratimin dhe zbatimin e projekteve”, etj.

Në kuadër të këtij procesi, AMA organizoi një tryezë të rrumbullakët me të gjithë aktorët e interesuar për të marrë mendime, sugjerime dhe komente përkatësisht nga të gjitha palët e interesuara, sidomos OSHMA-të të cilat preken/përfitojnë drejtpërdrejt nga ndryshimet e propozuara në ligj. Ndryshimet janë hedhur për konsultim publik.

Një iniciativë shumë e rëndësishme ka qenë edhe ajo e nisjes së diskutimeve me grupet e interesit për procesin e Matjes së Audiencës. Në këto takime AMA u ka paraiqtur palëve të interesit, OSHMA dhe shoqata marketingu, modele konkrete të aplikimeve për Matjen e Audiencës nga shtetet anëtare të BE-së, si modele që mund të përshtaten për dinamikën e zhvillimit të tregut audioviziv në vendin tonë. Në këtë proces, që ka vazhduar edhe me hapa të mëtejshëm të rëndëishëm, AMA ka luajtur rol nxitës.

Një hap tjetër domethënës në konsolidimin e performancës së institucionit i finalizuar në vitin 2023, ishte dhe miratimi i një prej akteve nënligjore më të rëndësishme, Kodit të Transmetimit, që reflekton thellësisht standardet europiane të tregut audio/audioviziv në Shqipëri. Gjatë vitit 2023 Këshilli i Ankesave, si njësia e ngarkuar për manaxhimin e këtij procesi, zbatoi kalendarin e konsultimeve publike për Kodin, me organizimin e tryezave gjeneraliste në qarqet, Shkodër/Lezhë, Kukës, Dibër, Elbasan, Korçë, Durrës, Gjirokastër, Berat, Fier, Vlorë, ku morën pjesë përfaqësues të OSHMA-ve, organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve në nivel qendror dhe vendor, partnerë vendas dhe ndërkombëtarë. Theksoj se në këto tryeza këshillimore lidhur me Projekt – Kodin e rishikuar të Transmetimit dhanë mendimet e tyre, duke marrë pjesë në diskutime: 87 profesionistë të medias dhe përfaqësues të OSHMA-ve, 78 përfaqësues të shoqatave të grupeve të prekura të interesit, 79 ekspertë të medias dhe komunikimit, 70 përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore si edhe 17 ekspertë dhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare. Përfaqësitë e Këshillit të Europës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë në Tiranë, të cilat e ndoqën afër të gjithë procesin, mundësuan edhe tërheqjen e mendimit të ekspertit të Këshillit të Europës për Projektkodin.

Në përfundim, Kodi i Ri i Transmetimit përmban 11 Seksione, kundrejt 8 syresh që përmbante Kodi paraardhës. Tre seksionet e shtuara në Kodin e ri të Transmetimit janë: “Luftimi i diskriminimit dhe promovimi i barazisë gjinore”, “Parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes në transmetimet audiovizive” dhe “Dispozitat kalimtare”, ndërkohë që janë përpunuar dhe zgjeruar në masën 60% seksionet e tjera.

Siç e përmenda edhe me lart, rritja e qasjes së personave me aftësi të kufizuar në përmbajtjet audiovizive ka qenë gjithashtu një prioritet i punës tonë gjatë vitit 2023. Duke e konsideruar tejet të rëndësishëm shërbimin e interpretimit në gjuhën e shenjave për Personat që nuk Dëgjojnë, por gjithashtu edhe në zbatim të Rezolutës së Kuvendit, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka qenë prej kohësh në komunikim të vazhdueshëm, jo vetëm shkresor, me operatorët audiovizivë, duke kërkuar dhe nxitur marrjen e masave konkrete për ofrimin e shërbimit të interpretimit në gjuhën e shenjave, siç është edhe e parashikuar në ligjin organik të AMA-s. Rezultonte që vetëm operatori publik, RTSH, aplikonte shërbimin e interpretimit në gjuhën e shenjave për Personat që nuk Dëgjojnë, në përmbledhjen e lajmeve javore. Nga komunikimet me operatorët e tjerë, bazuar gjithashtu, edhe në përgjigjet e Shoqatës Kombëtare Shqiptare të Personave që nuk Dëgjojnë dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, rezultonte se kishte një mungesë të theksuar të interpretëve të licencuar të gjuhës së shenjave. Nisur nga kjo, pas bisedimeve të kryera me përfaqësuesit e televizioneve, u ra dakort që AMA të luante rol ndërmjetës në proces: gjetjen e kontakteve të personave të licencuar si interpret të gjuhës së shenjave, diskutimin dhe ndërmjetësimin me ta për mundësinë e bashkëpunimit me televizionet dhe kur kjo dakordësi të arrihej, vendosjen e këtyre kontakteve në dispozicion të televizioneve, në mënyrë që ata të vazhdonin lidhjet kontraktuale me ta, për t’i përfshirë në edicionet informative. Nga kërkimet më të thelluara u sigurua kontakti me tre interpretët e vetëm të licencuar për gjuhën e shenjave dhe në përfundim të këtij procesi ndërmjetësimi nga AMA, u arrit që edhe dy televizionet kombëtare, Top Channel dhe Tv Klan të përfshinin interpretin e gjuhës së shenjave në të paktën, një edicion informativ në javë. Përmbushja e këtij detyrimi ligjor do të vazhdojë të jetë në vëmendjen tonë, deri sa të mbushet boshllëku i interpretëve të licencuar ne treg.

Të nderuar deputetë,

Në përmbushje të detyrimeve tona ligjore, por edhe si një nga objektivat kryesore të punës tonë, gjatë vitit 2023 kemi pritur e trajtuar me kujdes çdo ankesë të mbërritur në AMA me objekt përmbajtjen e ofertës audiovizive. Për vitin 2023, numri i ankesave është rritur me 7.9%, tregues ky i rëndësishëm i ndërgjegjësimit të publikut për standardet audiovizive dhe i rritjes së besimit tek institucioni. Nga gjithsej 390 ankesa të shqyrtuara nga Këshilli i Ankesave në këtë peridhë, 89% u dërguan nga individë, 4.7% nga shoqëria civile, 3% nga studio ligjore, 2% nga institucione dhe 1.3%  nga subjekte tregtare. Pjesa më e madhe e ankesave, ose 59.5 % e tyre ishin për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe etikës së komunikimit; 16.4 % mbi shkeljen e të drejtave të fëmijëve dhe privatësisë së tyre; 3.6 % mbi komunikimet tregtare në median audiovizive etj.

Në kuadrin e administrimit të ankesave, Këshilli i Ankesave u ka kërkuar OSHMA-ve paraqitje pretendimesh në 12.6% të rasteve, ka organizuar seanca dëgjimore në 2 raste, ka paralajmëruar me “Tërheqje vëmendjeje” në 49.2% të rasteve dhe me sanksion financiar në 6 syresh.

Gjithashtu në funksion të shërbimit ndaj publikut përmes ofertës programore, një nga angazhimet e AMA-s është edhe shqyrtimi tematik i përmbajtjeve të emetuara. Gjatë vitit 2023 ka vijuar në mënyrë sistematike monitorimi dhe vlerësimi i përmbajtjeve të transmetuara, ku në fokus kanë qenë shkeljet etike në përgjithësi; mbrojtja e fëmijëve, gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit, reklamat dhe komunikimet tregtare; respektimi i sinjalistikës paralajmëruese në fasha kohore të caktuara; buketa programore të RTSH-së, në zbatim të kërkesave të Kontratës së Shërbimit etj. Veçoj se gjatë vitit 2023 ekipet e monitorimit dhe të analizës kanë realizuar verifikimin/shqyrtimin e 114 rasteve të transmetimeve audio/audiovizive për përputhshmërinë e tyre me kërkesat ligjore. Nga ky verifikim janë konstatuar 49 raste shkeljesh. Tipologjia e shkeljeve të identifikuara ishin: 55% e rasteve reklama të fshehta; 33% shkelje etike dhe mbrojtja e të miturve; 10% reklama mbi shëndetin dhe medikamentet dhe 2% reklama politike. Për 49 prej shkeljeve të konstatuara, Autoriteti iu është drejtuar OSHMA-ve me shkresa zyrtare duke tërhequr vëmendjen për 48 raste, ndërkohë që në një rast ka vendosur sanksion me gjobë.

Vlen të theksoj se, shqyrtimet dhe tërheqjet e vëmendjes kanë sjellë ndikim pozitiv në veprimtarinë e OSHMA-ve, sidomos në kujdesin që po tregohet prej tyre në transmetimin e reklamave mbi shitjen e barnave pa recetën e mjekut. Po ashtu, ka reflektim nga redaksitë audiovizive sa i takon mostransmetimit të reklamave mbi barnat, kur ato bëhen nga moderatorët e programeve apo të ftuarit në programe të ndryshme.

Në lidhje me veprimtarinë inspektuese, AMA, përmes grupeve të veta të inspektimit, gjatë vitit 2023 ka ushtruar 332 kontrolle të aktivitetit të OSHMA-ve. Nga këto 168 janë inspektime të kryera në bazë të ankesave dhe 164 janë monitorime kryesisht, duke konkluduar në 9 vendime për sanksione me gjobë ndaj subjekteve OSHMA, për 3 raste të tjera është vendosur tërheqja e vëmendjes ndaj tyre.

Lidhur me respektimin e të drejtave të transmetimit, Autoriteti, gjatë vitit 2023 ka kryer një numër të konsiderueshëm inspektimesh të subjekteve kabllore/IPTV/OTT në terren. Gjithashtu, një fokus të veçantë ka pasur inspektimi dhe monitorimi i subjekteve audiovizive në lidhje me cilësinë e sinjalit si dhe përmbajtjen e programeve. Inspektimet janë kryer nga ankesat e depozituara nga subjektet mbajtës të së drejtës, por dhe kryesisht nga AMA. Vlen të theksohet se, pjesa dërrmuese e ankesave për shkeljen e të drejtave të transmetimit, gjatë vitit 2023, lidhet me fenomenin e piraterisë televizive që kryhet nga subjekte të paautorizuara nga AMA për ofrimin e shërbimit audioviziv. Konkretisht, bëhet fjalë për subjekte ISP (Internet Service Provider), të cilët nëpërmjet internetit kryejnë pirateri televizive pa autorizim nga AMA. Për këtë fenomen, AMA, ka përcjellë pranë AKEP-it 28 praktika zyrtare, me qëllim marrjen e masave, për mbylljen e 128 faqeve online, të cilat kryenin shkelje të ligjit 97/2013, i ndryshuar.

Gjithashtu, lidhur me këtë fenomen, Drejtoria e Inspektimit dhe Mbikëqyrjes u ka kërkuar aplikacioneve dhe Platformave të ndryshme të Shpërndarjes së Videove (VSP-të) heqjen nga llogaritë e tyre të 19 linq-eve, të cilët transmetonin produkt audioviziv pa të drejta transmetimi.

Përveç kësaj, AMA, në zbatim të Memorandumit AMA-AKEP, i cili parashikon dhe ngritjen grupeve të përbashkëta të të inspektimit, gjatë vitit 2023, ka kryer 16 kontrolle të përbashkëta, në ISP në gjithë territorin e vendit. Sqarojmë se, fenomeni i piraterisë televizive që kryhet nëpërmjet internetit, është një fenomen sa shqetësues aq dhe i komplikuar për t’u identifikuar, për arsye se në shumicën e rasteve produkti audioviziv që transmetohet abuzivisht, vjen nga servera të vendeve të ndryshme të botës dhe nuk janë të pozicionuara në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, identifikimi i tyre bëhet shumë i vështirë.

Të nderuar,

Siç e theksova në hyrje të këtij prezantimi të punës vjetore të AMA-s, një nga prioritetet tona është edhe rritja e standardit të punës së AMA-s dhe përafrimin me atë të një rregullatori europian. Në funksion të kësaj, Autoriteti i Mediave Audiovizive, përgjatë vitit 2023, ka ndjekur një axhendë të rëndësishme takimesh dhe pjesëmarrje në konferenca jashtë vendit, me institucione të BE-së dhe autoritete rregullatore homologe në rajon dhe Europë. Nga kjo veprimtari veçoj organizimin nga AMA, në shtator të vitit 2023, të Asamblesë Plenare të 22-të të Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore, MNRA, si një hapësirë diskutimi profesional të nivelit të lartë mbi realitetet dhe sfidat globale të transmetimeve audio/audiovizive. Në këtë konferencë, e para e këtij lloji në Shqipëri, merrnin pjesë drejtues dhe ekspertë nga rregullatorët e vendeve që përfshijnë rajonin e Evropës Juglindore, vendeve anëtare të BE-së, Presidenti i ERGA-s, përfaqësues të lartë nga UNESCO dhe drejtues të rëndësishëm të platformave të mëdha të shpërndarjes së videove, si META, Tik-Tok, etj. Me votim unanim të delegacioneve anëtare të MNRA, Shqipëria mori Presidencën e radhës.

Gjatë vitit 2023, AMA është përfaqësuar në nivele të larta edhe në aktivitete të tjera jashtë vendit, të cilat trajtojnë zhvillimet e fundit teknologjik të transmetimit, siç janë: 2 Asambletë Plenare të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), apo 2 takimet dypalëshe me organizatën World Dab 2023, e cila ofron ekspertizë globale në zbatimin e procesit të sinjalit të radios digjitale DAB+, të cilin Shqipëria synon t’a implementojë në të ardhmen e afërt.

Sa i takon pjesëmarrjeve të tjera të AMA-s ne arena ndërkombëtare theksoj se ato kanë qenë të një rëndësie të veçantë, si në kuadër të integrimit në BE-së dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar me direktivat e BE-së, ashtu edhe në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave më të mira mes autoriteteve rregullatore për çështje delikate me të cilat përballet mjedisi mediatik sot. Ndër to, mund të përmend takimet e organizuara nga Grupi i Rregullatorëve Evropianë për Shërbimet Mediatike Audiovizive (ERGA), Platforma Evropiane e Autoriteteve Rregullatore (EPRA), Forumi i Autoriteteve Rregullatore të Transmetimeve të Detit të Zi (BRAF), Observatori Europian Audioviziv etj.

Një impenjim serioz dhe i rëndësishëm për AMA-n është edhe angazhimi monitorues gjatë fushatave zgjedhore. Gjatë vitit 2023, AMA u përfshi në procesin e monitorimit të mënyrës se si e mbuluan OSHMA-të fushatën zgjedhore për rastin e përsëritjes së zgjedhjeve për kryetar në Bashkinë Kukës, datë 24 shtator 2023. Bazuar në formatin përmbajtësor të OSHMA-ve, mbulimin me sinjal në territorin e vendit, si dhe kapacitetet ekzistuese teknike të AMA-s, u krye monitorimi i transmetimeve audiovizive të 20 subjekteve të licencuar. Në bazë të vendimit të Komisionit Rregullator të KQZ-së për “metodologjinë e monitorimit të medias audio dhe audiovizive”, të datës 30 Janar 2021, gjatë periudhës 11-24 shtator 2023, AMA kishte në fokus, kohën e monitorimit të secilës OSHMA, për transmetimet gjatë orarit 08:00-24:00; minutazhin e transmetimeve për secilin subjekt zgjedhor; hapësirën për çdo subjekt politik; radhën e vendosjes së kandidatëve në edicionet informative; transmetimet e drejtpërdrejta (live); raportin gjinor sa i takon mbulimit mediatik të kandidatëve apo edhe prezantimin e sondazheve zgjedhore.

Në mënyrë periodike AMA ka dërguar pranë KQZ-së të dhënat e monitorimit, të cilat janë publikuar nga ky institucion në faqen zyrtare online.

Gjithashtu një proces i rëndësishëm pune gjatë vitit 2023, ka qenë edhe angazhimi i bërë në kuadër të Edukimit Mediatik. Ky proces i rëndësishëm, në mënyrë të veçantë në kushtet e zhvillimit të jashtëzakonshëm të teknologjisë, ka qenë në objektiv të punës tonë dhe në fund të vitit 2023 ne nisëm një fushatë ndërgjegjësese për prindërimin digjital, mbrojtjen nga rreziqet që vijnë nga interenet, mbrojtja e të dhënave personale etj. Në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Radio-Televizionit Turk, RTUK, realizuam një paketë prej më shumë se 20 videosh informuese/ndërgjegjësuese për fëmijët dhe prindërit, me synim aftësimin e të gjitha palëve në përdorimin, në mënyrë të dobishme, të padëmshme dhe të sigurtë të ofertës televizive, si edhe për të mundësuar orientim, lundrim të sigurt dhe prindërim efektiv në mjedisin digjital. Në këtë kuadër, në rubrikën e dedikuar “Edukimi Mediatik” në faqen zyrtare të AMA-s, si edhe në llogaritë e Autoritetit në rrjetet sociale, gjatë vitit 2023 janë publikuar disa video sensibilizuese të animuara me objekt “Shenjat paralajmëruese” ose sinjalistikën e detyrueshme, sipas ligjit, për t’u përdorur prej OSHMA-ve, me qëllim orientimin moshor të publikut (prindër dhe fëmijë) në programet e ofruara prej tyre dhe disa video me objekt “Prindërimin digjital”. Fushata vazhdon dhe ky proces do të jetë gjatë në fokus të punës tonë.

Për ta përmbyllur këtë panoramim të shkurtër të punës së AMA-s dua të veçoj edhe publikimin e Buletinit Periodik. Edicioni i 9 i këtoj buletini, përkon me periudhën 1 janar – 31 Dhjetor dhe është një përmbledhje dhe pasqyrë shumëdimensionale e tregut mediatik. AMA është institucioni i vetëm në Republikën e Shqipërisë që prodhon të dhëna mbi burimet njerëzore të angazhuara në OSHMA-të e licencuara. Një aspekt i rëndësishëm në Buletinin Periodik është transparenca e OSHMA-ve në strukturimin pronësor, pjesëmarrja pronësore për secilën OSHMA, përmbajtjet e transmetuara nga OSHMA-të kombëtare, etj. Gjithashtu, në Buletinin Periodik nr. 9, paraqitet në formë tabelore numri i programeve pa pagesë në Republikën e Shqipërisë, ndarë në 12 qarqe.

Nga ana tjetër, bashkëpunimi me partnerë të ndryshëm, që punojnë në fushën e medias, i ka shërbyer Autoritetit për mbështetjen e realizimin e projekteve në dobi të përmirësimit të raportimit në median audiovizive, të pasurimit të literaturës profesionale, në interes të standardizimit të raporteve mes punëdhënësit dhe punëmarrësit etj. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me ekspertët përkatës është realizuar projekti, “Trajtimi në median audiovizive i rasteve të trafikimit të personave, si dhe respektimi e garantimi i ruajtjes së jetës private të viktimave të trafikimit, veçanërisht të të miturve si kategoria më vulnerabël”, i ndarë në dy komponentë, në fund të së cilit u hartuan dy udhëzues që u vijnë në ndihmë gazetarëve që raportojnë mbi trafikimin e qenieve njerëzore. Gjithashtu përmendim projektet, “Televizioni linear në rrjetet sociale”, një bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës apo “Java e Edukimit Mediatik”, si bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias. Me bindjen, se “siguria e gazetarëve dhe profesionistëve të medias është thelbësore në garantimin e lirisë dhe integritetit të medias”, në zbatim të ligjit tonë organik, në vitin 2023 nisëm edhe projektin me temë, “Siguria e profesionistëve të medias audiovizive (gazetarëve dhe kameramanëve) në situata protestash dhe demonstratash”. Qëllimi i AMA-s është që, përmes këtij projekti, të përfitohet një studim i bazuar në metoda kërkimi cilësor, i cili do të ofrojë rekomandime specifike si për mënyrën e sjelljes dhe raportimit të profesionistëve (gazetarëve dhe kameramanëve) të mediave audiovizive në kohë reale gjatë protestave dhe demonstratave, për të shmangur ushtrimin e dhunës policore, ashtu edhe për mënyrën e sjelljes së forcave të rendit, për të mos penguar raportimin.

Me qëllim gjithëpërfshirjen e aktorëve të interesit, pjesë e këtij studimi do të jenë, nga njëra anë gazetarët dhe kameramanët në terren dhe nga ana tjetër, përfaqësuesit e Policisë së Shtetit.

Tjetër angazhim i rëndësishëm ka qenë edhe tradita e publikimeve, nga të cilat përmendim përkthimin në shqip të librit, “Gjuha e urrejtjes ndaj grave në internet: Koncepte dhe kundërmasa” etj.

Të nderuar deputetë,

Në raportin e veprimtarisë 1-vjeçare të AMA-s, ju do të gjeni në mënyrë të detajuar të gjitha aspektet e angazhimit institucional, sipas njësive përbërëse, por dhe sipas realiteteve dhe sfidave që përballet tregu audio/audioviziv në vendin tonë. Kjo pasqyrë konkrete e dinamikës së punës në AMA shikohet në çdo rast në raport me kërkesat dhe nevojat konkrete të publikut, si dhe në akord me standardet që respekton një vend që dëshiron aq shumë anëtarësimin me të drejta të plota në BE.

 

Ju faleminderit për vëmendjen!

 

Perpara Kryetarja e AMA-s para Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik: Kemi hedhur hapa konkret drejt transparencës së tregut mediatik audioviziv. Shqetësim pirateria televizive

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara