Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi, ka zhvilluar një vizitë dyditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë kësaj vizite në Uashington, D.C., në të cilën shoqërohej nga Sekretarja e Përgjithshme e AMA-s, znj. Ronelda Rrapollari, Krasniqi është pritur në Departamentin Amerikan të Shtetit nga zyrtari për Çështjet e Shqipërisë, John W. Robbins, zyrtari për Diplomacinë Publike për Çështjet e Europës Qendrore, Michael Marble, si dhe zyrtari për Iniciativat e Politikave Ndërkombëtare, Evan Lord.
Temat e diskutimit në këtë takim kanë qenë transparenca e pronësisë së medias, transpozimi në legjislacionin shqiptar i akteve të rëndësishme evropiane, si dhe iniciativa të tjera ligjore që synojnë rregullimin e mëtejshëm të tregut mediatik.
Kryetarja Krasniqi i ka njohur përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit me iniciativat e deritanishme të AMA-s që synojnë rregullimin e Platformave të Shpërndarjes së Videove, si dhe me sfidat që paraqet ky proces. Gjithashtu, është diskutuar mbi fenomene negative si dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes, në të gjitha format e shfaqjes së tyre, integriteti i informacionit, si dhe çështje të tjera që lidhen me ambientin mediatik në Shqipëri.
“Kjo vizitë i shërben institucionit tonë, i cili tashmë nuk është më vetëm një përfitues, por edhe kontribuues në politikat që lidhen me integritetin e informacionit dhe lirinë e medias”, ka deklaruar Krasniqi pas përfundimit të vizitës.
