E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Kryetarja e AMA-s prezanton raportin vjetor në seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisë

E nderuar Kryetare e Kuvendit!

Të nderuar deputetë,

Autoriteti i Mediave Audiovizive gjatë vitit 2022 është angazhuar, në vijimësi, për t’i shërbyer shoqërisë shqiptare përmes rregullimit, mbështetjes dhe nxitjes së tregut audioviziv të përgjegjshëm dhe cilësor, në përmbushje të detyrave dhe funksioneve të veta, të përcaktuara në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar”, në Strategjinë dhe Planin e Veprimit të Autoritetit për vitet 2021-2023, si dhe në përmbushje të rekomandimeve të Bashkimit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Vitin 2022 mund ta përshkruajmë si një vit dominant integrues, me ndikim të drejtpërdrejt në qasjen e standardeve evropiane për institucionin tonë: Transpozimi i Direktivës së BE-së dhe lirimi i brezit të Digjital Dividentit, i njohur si brezi DD2 – na kanë afruar dhe më shumë me partnerët tanë, kanë rritur konkurrueshmërinë e Autoritetit në planin ndërkombëtar. Po ashtu dhe procesi dinamik dhe transparent i rishikimit të Kodit të Transmetimit, si refleksion i kërkesave që ka publiku për ofertë cilësore dhe shumëllojshme audiovizive, është tregues i përqendrimit tek miratimi nga AMA i akteve nënligjore që i përgjigjen standardeve të vendeve anëtare të BE-së.

Gjatë gjithë vitit që po raportojmë vlen të theksohet se përfaqësues të Autoritetit kanë qenë të pranishëm dhe kanë dhënë kontributet e tyre në takimet e organizuara nga Platforma Evropiane e Autoriteteve Rregullatore (EPRA); Grupi i Rregullatorëve Evropianë për Shërbimet Mediatike Audiovizive (ERGA); Observatori Evropian Audioviziv (OBS); Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES); Agjencia e Komunikimeve Elektronike (AEK); Instituti ASPEN apo Shoqata e Europës Juglindore, por dhe nga partnerët prioritarë OSBE/ODIHR e Këshilli i Evropës.

Ky angazhim efektiv ndërkombëtar ka dhe rezultat konkret: për herë të parë, Shqipëria merr një pozicion të lartë drejtues, në një nga platformat ë të rëndësishme në fushën e transmetimeve të mediave audiovizive, sic ishte zgjedhja përmes votimit nga 27 vende anëtare të Kryetarit të AMA-s në detyrën e Zëvendës Presidentit së Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore (MNRA). Para disa ditëve delegacionet e Rrjetit u takuan në Tiranë, në nivel Komiteti Teknik, ku u shkëmbyen ide dhe pikëpamje për sfidat e sotme dhe të së ardhmes së afërt, me të cilat përballen rregullatorët tanë. Në shtator Shqipëria do të jetë mikpritëse për here të pare e sesionit plenar së Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore me pjesëmarrjen e delegacioneve nga 27 vendet.

E kemi përmendur dhe në përmbajtjen e raportit vjetor të dorëzuar në Kuvend, se për 2022-in u arrit dhe një kulm në marrëdhëniet bilaterale mes dy rregullatorëve të Shqipërisë dhe Kosovës, ku sëbashku drejtues të tyre realizuam një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dy delegacionet, Nga AMA e Shqipërisë dhe KPM e Kosovës, u mirepriten dhe zhvilluan një takim në Departamentin Amerikan te Shtetit me Drejtorin e Zyrës për Europën Qëndrore dhe Juglindore z. Martin McDowell U zhvillua po ashtu nje takim shume frytedhenes me drejtues te larte te Komisioni Federal i Komunikimit ne Shtetet e bashkuara

Angazhim te forte ka pasur Autoriteti për monitorimim dhe shqyrtimim e përmbajtjeve të transmetuara, si një prej detyrave më të rëndësishme të tij, në funksion të shërbimit ndaj publikut përmes përputhshmërisë me kuadrin ligjor në fuqi, të ofertës programore të OSHMA-ve.

Puna monitoruese dhe vlerësuese, për vitin 2022 u fokusua, në mënyrë periodike, në aspekte të rëndësishme transmetimeve të mediave audio dhe audiovizive, sikurse:

-shkeljet etike në përgjithësi;

-mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e papërshtatshme;

-përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimi në çdo formë;

-reklamat dhe komunikimet tregtare, rastet kur janë të fshehura, kur përfshihen në edicionet e lajmeve, mbi medikamentet dhe shërbimin shëndetësor etj.;

-respektimi i standardit të shkruar dhe të folur të shqipes;

-buketa programore e RTSH-së, zbatimi të kërkesave të Kontratës së Shërbimit.

Gjatë vitit raportues janë realizuar 96 shqyrtime përmbajtjesh, ku në 38 raste AMA ka dërguar tërheqje vëmendjeje për OSHMA-të, që nuk kanë respektuar kërkesat e ligjit nr. 97/2013, i ndryshuar, kërkesat e Kodit të Transmetimit dhe akteve të tjera nënligjore në fuqi.

Duhet theksuar se OSHMA-të kanë pasur një reagim pozitiv ndaj tërheqjes së vëmendjes nga Autoriteti, sidomos në kujdesin që po tregohet prej tyre në transmetimin e reklamave mbi shitjen e barnave (pa recetën e mjekut), si dhe mostransmetimit të reklamave mbi barnat, kur ato bëhen nga moderatorët e programeve apo të ftuarit në programe të ndryshme.

OSHMA-të kanë reaguar pozitivisht për transmetimin e reklamave të fshehura gjatë edicioneve të lajmeve, për të cilat AMA ka kontaktuar dhe me përfaqësues të sipërmarrësve, që kanë promovuar mallrat apo shërbimet e tyre, duke kërkuar shtimin e bashkëpunimit me subjektet audiovizive për marketing, por duke këmbëngulur që ky bashkëpunim të realizohet duke respektuar legjislacionin në fuqi.

AMA, gjatë vitit 2022, ka hartuar dhe ka dërguar kujtesa dhe apele për OSHMA-të, për problematika të mprehta të përmbajtjeve audiovizive si:

-respektimi i kërkesave ligjore për mbulimin e fushatës zgjedhore nga OSHMA-të;

-apel për OSHMA-të: Kujdes dezinformimin!;

-mbi identifikimin e rasteve të shkeljeve etike në programe;

-identifikimi i viktimave të abuzimeve seksuale me të mitur është i papranueshëm;

-respektimi i standardit të shqipes së folur dhe të shkruar në transmetimet audiovizive;

-shmangia e përmbajtjeve audiovizive që nxisin dhe justifikojnë dhunën etj.

Sikundër përmendet edhe në raportin vjetor të 2022, AMA mban në vëmendje edhe aspekte të ndryshimeve pronësore. Në mbështetje të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, subjektet e licencuara/autorizuara kanë detyrimin që brenda 30 ditëve të njoftojnë AMA-n lidhur me ndryshimet e ndodhura në kërkesën për licencë dhe/ose autorizim, për kalim të drejtash apo për ndryshime në strukturën e pronësisë, brenda të njëjtit subjekt tregtar.

Krahas përmendjes së këtij detyrimi për të gjitha OSHMA-të e licensuara, AMA, kryesisht, në mënyrë periodike, verifikon në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), statusin, objektin e veprimtarisë, si dhe të dhëna të tjera për subjektet e licencuar/autorizuar nga Autoriteti.

 Gjatë periudhës raportuese, AMA ka iniciuar hetim administrativ për 9 subjekte, nga të cilat 3 ndryshime janë miratuar nga AMA ndërsa 6 ndryshime janë në proces.  Ndërkohë, 9 subjekte kanë njoftuar vetë për ndryshimet e ndodhura në strukturën e pronësisë, të cilat janë miratuar nga Autoriteti.

Gjithashtu, në përmbajtjen e raportit që është bërë tashmë i njohur për të gjithë deputetët, gjenden edhe të dhëna konkrete mbi subjektet që kanë marrë licencën, autorizimin, rastet e rinovimit të këtyre dokumenteve, etj.

Sot, peizazhi i medias audio/audiovizive reflekton pluralitetin jo vetëm në pjesën e përmbajtjeve të transmetuara, por dhe në aspektin e strukturës së pronësisë. Gjatë vitit 2022, AMA, gjatë raportimeve në Komisionin Europian për kapitujt e përafrimit të legjislacionit që lidhet me këtë sektor, ka nënvizuar faktin që shumë operatorë audiovizivë në treg, megjithëse kanë licencë për transmetim rajonal ose lokal, në fakt kanë shtrirje edhe më të gjerë sesa zona e licencimit.

Konkretisht, krahas transmetuesit publik, janë gjithsej 18 OSHMA private që transmetojnë në të gjithë Republikën e Shqipërisë, pavarësisht zonës së tyre të licencimit. Kjo tregon fluks të zgjeruar transmetimi në ofrimin e përmbajtjeve me interes për publikun.

Duke u nisur nga praktikat e vendeve të tjera për këtë tregues, mund të themi që:

  • Në Austri janë aktualisht 10 subjekte qe kane kete shtrirje, pra ne te gjithë territorin
  • Në Kroaci 8 subjekte;
  • Në Greqi 10 subjekte,
  • Në Maqedoninë e Veriut 6 subjekte, etj.

Zhvillimi i pandalshëm teknologjik dhe përhapja në shkallë të gjerë të internetit kanë ridimensionuar konceptet e zonës së mbulimit me transmetim për një OSHMA, dukuri për të cilën AMA është në fazën e konceptimit dhe konsultimit për ndryshimet e nevojshme në kuadrin ligjor.

Për këtë, do të vijojmë të kemi si referencë praktikat më të mira nga vendet anëtare të BE-së, si dhe me konsultimin e vazhdueshëm të ekspertëve nga këto vende.

Sot, tregu audio/audioviziv është në një dinamikë zhvillimi, ku mbeten përcaktues dy faktorë:

  • Së pari, pronësia e kësaj pjese të tregut është në më shumë duar sesa në periudhat e mëparshme raportuese. Konkretisht, duke iu referuar fakteve, në vendin tonë janë të paktën 11 subjekte pronesore, prej 18 OSHMA-ve në total, që shtrihen me transmetim në të gjithë territorin e vendit, të cilët zotërojnë kuota ose aksione në televizione dhe radio, në përputhje të plotë me kufizimet që vendos për pronësinë ligji nr. 97/2013, i ndryshuar.
  • 7 subjektet e tjerë me shtrirje kombëtare janë zotërues vetëm të një televizioni.
  • Së dyti, në dekadën e fundit, tregu audio/audioviziv nuk ka atë impakt në publik, për shembull, të tre deri në pesë viteve më parë, si pasojë e forcimit të pandalshëm të medias online, e cila, gjithnjë e më tepër, tërheq publikun edhe në informim, edukim dhe argëtim.

Në zbatim të kontratës AMA-RTSH, AMA realizoi dy shqyrtime, përkatësisht në muajt qershor dhe dhjetor 2022. Në fokus ishin përmbajtjet e transmetuara nga kanalet e RTSH-së, si dhe të dhënat mbi mos mbulimin me sinjal të disa zonave të shërbimit në territorin e vendit tonë. Ky shqyrtim është një mbështetje për Transmetuesin Publik në përmbushjen e misionit për programe cilësore dhe të shumëllojshme. Gjetjet e këtyre shqyrtimeve i janë bërë prezente dhe Kuvendit të Shqipërisë, që po ashtu ka pasur vëmendje mbi angazhimin dhe performancën e Transmetuesit Publik, në dobi të komunitetit.

Nisur nga rekomandimi i Kuvendit mbi reklamat publike, AMA nga muaji gusht i vitit 2022, mbi reklamat publike, po vijon monitorimit të volumit të këtyre reklamave institucionale në raport me reklamat në total të subjekteve tregtare private. Nisur nga të dhënat faktike për OSHMA-të kombëtare (të dhëna që periodikisht i janë pëcjellë dhe Kuvendit) volumi i reklamave publike shkon në nivelin nga 0.2% deri 3.39% te operatorët privatë, ndërkohë që tek RTSH ky tregues është më i lartë – nga 1.92% deri 15.2%.

Një burim i qëndrueshëm për monitorimet dhe shqyrtimet e Autoritetit janë dhe ankesat që mbërrijnë. Çdo ankesë e vë në lëvizje institucionin, qoftë nga një qytetar, nga një grup interesi, nga një subjekt etj. Këshilli i Ankesave pranë AMA, krahas detyrave të përditshme funksionale, ka pasur në fokus përparësitë e vendosura nga Autoriteti, si dhe ka vijuar punën intensive për rishikimin e Kodit të Transmetimit.

Gjatë vitit të shkuar, Këshilli i Ankesave ka shqyrtuar mbi 310 ankesa, të dërguara në AMA, përmes postës, përmes komunikimit elektronik, nga reagimet në rrjetet sociale dhe strukturës së Call Center etj., për probleme të përmbajtjeve audiovizive të transmetuara.

Nëse do të bënim një klasifikim, ankesat e mbërritura në AMA për vitin 2022 kanë pasur për objekt:

-shkeljen e të drejtave të fëmijëve, privatësisë së tyre (32 %);

-shkeljen e të drejtave të njeriut dhe etikës së komunikimit (38 %);

-jashtë objektit të AMA-s, përcaktuar nga ligji nr. 97/2013, i ndryshuar (15 %);

-të drejtën e përgjigjes (2 %);

-të ndryshëm, si dhe ankesa të shtuara ndaj rrjeteve sociale, portaleve dhe gazetave (13 %)

Duhet përmendur dhe fakti se, Këshilli i Ankesave ka intensifikuar kontaktet me Bordet e Shqyrtimit të Ankesave pranë OSHMA-ve, me agjencitë dhe organizatat për mbrojtjen e fëmijëve; në veçanti me Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, si një agjenci e cila ndjek drejtpërdrejt problemet që lidhen me fëmijët, duke i referuar pranë Këshillit të Ankesave rastet e evidentuara në mediat audiovizive; me grupin e deputetëve “Miqtë e fëmijëve” në Kuvendin e Shqipërisë; me strukturat parlamentare dhe ministrore për Strategjinë për Edukimin Ligjor të Publikut (SELP), si dhe me aktorë dhe faktorë të rëndësishëm në fushën e mediave audiovizive.

Një proces shumë i rëndësishëm i veprimtarisë së Këshillit të Ankesave ka qenë dhe puna për rishikimin e Kodit të Transmetimit, një detyrim ky që buron nga Strategjia e Autoritetit, por edhe nga rekomandimet e lëna nga Kuvendi. Në këtë drejtim, Autoriteti, në prill të vitit 2022, organizoi një konferencë ndërkombëtare ku së bashku me grupet e interesit: përfaqësues të autoriteteve homologe, ekspertë të botës akademike dhe medias, përfaqësues nga OJF-të etj., nisi procesin e rishikimit të Kodit të Transmetimit.

Projektkodi i ri i Transmetimit, gjatë procesit të hartimit e në vijimësi, u shoqërua me diskutime me të gjithë grupet e interesit dhe me aktorët relevantë në këtë fushë (në 12 qarqet e vendit), si dhe duke marrë dhe ekspertizë nga partnerët tanë Këshilli i Europës dhe OSBE-ja.

Pas përfundimit të procesit të digjitalizimit të transmetimeve audiovizive, një tjetër proces po vijon me vëmendje parësore për AMA-n: Procesi i lirimit të brezit të Dividentit Digjital, i njohur si brezi DD2.

Lirimi i brezit DD2 nga transmetimet audiovizive dhe dhënia në përdorim e këtij brezi për shërbimet e lëvizshme 5G, do të ndikojë në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të vendit, duke siguruar përmbushjen e kërkesës në rritje të përdoruesit për trafik dhe ofrimin e shërbimeve me shpejtësi të lartë interneti.

Në kuadër të këtij procesi tejet të rëndësishëm, Autoriteti, gjatë vitit 2022, u përball me një angazhim koordinimi shumë të ndërlikuar, për shkak të reduktimit të ndjeshëm të brezit UHF, papajtueshmërive midis allotmenteve kufitare me fqinjët, si dhe numrit të lartë të rrjeteve numerike që operojnë në Shqipëri.

Për të zgjidhur këto problematika, u angazhuam në takime bilaterale, multilaterale, komunikime të vazhdueshme shkresore dhe me e-mail me vendet fqinje, për të përshpejtuar dhe nxitur marrjen e dakordësisë mbi Planin (470-694 MHz).

Në shtator 2022, AMA përfundoi me sukses procesin e koordinimit ndërkufitar në nivel allotmenti, të Planit të ri Frekuencor (470-694 MHz), i cili modifikon Planin GE06.

Pas zhvillimit të negociatave me përgjegjësi dhe profesionalizëm nga AMA, si dhe me vullnetin e mirë të fqinjëve, u mundësua dakordësia për operimin e rrjetit të shtatë në Shqipëri, duke përmbushur objektivin e Autoritetit për trajtim dhe qasje të barabartë për të 7 operatorët audiovizivë kombëtarë (publik/privat), me qëllim shmangien e deformimit të tregut audioviziv, impaktin negativ te konsumatori, si dhe garantimin e pluralizmit mediatik.

Shqipëria do të jetë i vetmi vend në rajon me 7 rrjete numerike kombëtare. Vendet pjesemarrese ne marreveshjen nderkombetare Adriatiko Joniane kane rene dakord qe Shqiperia te shenohet me asterisk si vetmi vend per te cilin eshte gjetur modaliteti frekuencor per te patur 7 rrjete numerike kombetare. Nenvizojme qe ndërkohë vendet me popullsi dhe hapësira territoriale më të mëdha, si Kroacia a Greqia, do të operojnë me 6 rrjete të tilla.

Gjithashtu, gjatë vitit 2022, Autoriteti është angazhuar në koordinimin ndërkufitar me vendet që lagen nga ujërat e deteve Adriatik dhe Jon për rialokimin e brezit III VHF, i cili do të mundësojë, për administratën shqiptare, 3 rrjete kombëtare për transmetimet zonare digjitale, në krahasim me 2 rrjete kombëtare sipas Planit GE06. Draft akti është përgatitur nga të gjithë shtetet pjesëmarrëse në këtë grup dhe pritet të finalizohet për t’u nënshkruar.

E përmendëm në fillim të këtij prezantimi të përmbledhur se një nga objektivat prioritarë të AMA-s ishte Transpozimi Direktivës së re për Shërbimet Mediatike Audiovizive. Me përparësi të veçantë, puna dhe veprimtaria e Autoritetit gjatë vitit 2022, është përqendruar në reflektimin tek legjislacioni vendas i Direktivës të rishikuar në vitin 2018, e cila është planifikuar në Planin Kombëtar të Integrimit Shqiptar për 2022-2024.

Në zbatim të këtij detyrimi, AMA, në muajin qershor 2022 përcolli në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) draftin paraprak të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, si dhe dokumentacionin shoqërues. Në muajin nëntor 2022, në takimin e zhvilluar me ekspertë të DG Near dhe DG CNECT, Observatorit Europian si dhe me përfaqësues AMA/MIE, u perfshine në projektligj edhe parashikime të Direktivës 2018/1808, lidhur me Video Sharing Platforms. (VSP)

Autoriteti është në angazhim intensiv për konceptimin dhe hartimin e akteve nënligjore që ndihmojnë procesin e zbatimit të plotë të Direktivës.

Paralelisht me këtë, AMA po vijon punën profesionale për plotësimin e kuadrit ligjor, nëpërmjet miratimit të akteve nënligjore përkatëse, që prekin veprimtarinë e mediave audiovizive në tërësi.

Bazuar në Strategjinë e AMA-s dhe Planin e Veprimit për vitet 2021-2023, u punua për miratimin e rregullores për audion analoge. Prej vitit 2016, kur është miratuar rregullorja audio, nuk është lëshuar asnjë licencë transmetimi audio numerike, si dhe nuk ka pasur kërkesë apo interes nga subjekte për t’u pajisur me këtë lloj licence.

Kjo rregullore iu nënshtrua konsultimit publik, i cili nisi në Ditën Botërore të Radios, me grupet e interesit me tryeza të mbajtura respektivisht në Tiranë, Korçë dhe Shkodër.

AMA, ka vijuar të ushtrojë kompetencat dhe funksionet që i ngarkon ligji organik, për çështje brenda fushës së kompetencës, si shqyrtimi i aplikimeve edhe kërkesave për marrje licence/ autorizimi, dhënie mendimi, shqyrtim i kërkesave të ndryshme të autoritetit, vijim i procedimeve të ndryshme administrative.

Prej muajit shkurt 2022, AMA e ka ushtruar aktivitetin administrativ me trupë të plotë kolegjiale, të përbërë prej 7 anëtarësh, duke bërë të mundur miratimin e të gjithë vendimmarrjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, si dhe shumicë të thjeshtë.

Në zbatim të nenit 60 të ligjit organik, AMA, me nismën e vet ose me kërkesën e subjekteve të interesuara, ka çelur disa gara për dhënien e licencës së shërbimit të programit audioviziv, duke marrë në konsideratë ekzistencën e kapaciteteve të lira teknike në rrjetet numerike të operatorit publik dhe operatorëve privatë lokalë të transmetimit.

Gjatë vitit 2022, për aplikimet për licencë/autorizim, AMA ka vendosur dhënien e licencës së transmetimit audiovizive numerik për 2 subjekte dhe refuzimin e licencës për 2 subjekte (1 radio dhe 1 televizion).

Në lidhje me veprimtarinë inspektuese, AMA, gjatë vitit 2022, përmes grupeve të veta të inspektimit, ka ushtruar 249 kontrolle të aktivitetit të OSHMA-ve, duke konkluduar në 15 vendime për sanksione me gjobë ndaj subjekteve OSHMA,  për 20 raste të tjera është vendosur tërheqja e vëmendjes ndaj tyre.

Sa i takon fenomenit të piraterisë dhe në zbatim të Memorandumit të Bashkëpunimit AMA-AKEP, i cili parashikon dhe ngritjen e përbashkët të grupeve të inspektimit, gjatë vitit 2022 janë kryer 9 inspektime të përbashkëta, në gjithë territorin e vendit, pranë subjekteve që disponojnë ISP (internet service provider) dhe që kryenin transmetime televizive nëpërmjet internetit.

Ndërkohë, një dukuri tjetër, që po haset në këtë periudhë, është shtimi i numrit të operatorëve piratë, të cilët transmetojnë nëpërmjet internetit dhe faqeve të ndryshme, që ofrojnë produkte audiovizive pa autorizimin e AMA-s. Për këtë problematikë, AMA ka përcjellë zyrtarisht pranë AKEP-it 14 praktika, me qëllim marrjen e masave për mbylljen e 86 faqeve online, të cilat kryenin shkelje të ligjit nr. 97/2013, të ndryshuar.

Nisur nga funksionet institucionale dhe objektivat e planit strategjik të veprimit 2021-2023 të AMA-s; duke konstatuar pamjaftueshmëri në mbulimin e të gjitha funksioneve dhe proceseve të kërkuara për realizimin e këtyre objektivave strategjike, përfshirë dhe përballimin e sfidave të hasura nga detyrimet e akteve ndërkombëtare dhe zhvillimet teknologjike në fushën e medias; mbështetur në ligjin organik të AMA-s neni 19 pika 17, AMA i propozoi Kuvendit ndryshime në strukturën organizative të institucionit.

Pas miratimit të strukturës dhe organikës së re të AMA-s, nga Kuvendi i Shqipërisë, me vendimin nr. 86/2022, dhe në përmbushje të afateve ligjore, është duke u kryer intensivisht procesi i ristrukturimit të institucionit, në mbështetje të nenit 50, të ligjit nr. 152/2013” Për nëpunësin civil” i ndryshuar dhe akteve nënligjore për transferimin e përkohshëm dhe të përhershëm të nëpunësve civilë.

Një aspekt tjetër ku jemi ndalur në raportin vjetor të vitit 2022 është dhe ndërveprimi. AMA ka vijuar ndërveprimin me partnerët e rëndësishëm brenda vendit, ata që punojnë në fushën e medias. Ka vijuar tradita e bashkëpunimit me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, me realizimin e studimit “Prirje dhe sfida të mediave televizive shqiptare në epokën e postdigjitalizimit”, që vijoi dhe me organizimin e një konference shkencore, me pjesëmarrjen e pedagogëve, studentëve në të gjitha nivelet e studimit, përfaqësuesve të OSHMA-ve, ekspertë të pavarur të fushës etj.

Vijoi, gjithashtu, angazhimi i AMA-s për të sjellë në shqip tituj të literaturës së huaj, me mbështetjen e përkthimit në shqip të tekstit universitar “Understanding Human Communicattion” të Oxford University Press, një botim që pasuron edhe më shumë bibliotekën e studentëve të degës së komunikimit dhe gazetarisë, në universitetet publike dhe jopublike të vendit, por dhe e grupeve të interesuara mbi këto aspekte.

AMA mbështeti vitin e kaluar edhe studime të rëndësishme mbi “Rolin e medias audiovizive, në formimin e personalitetit tek fëmijët e moshës 6 -14 vjeç”, “Tregu i punës dhe kontrata kolektive në mediat audiovizive”, apo dhe “Ndjekja/Pjesëmarrja në grupet studimore të ITU-së, që trajtojnë çështjet rregullatore dhe teknike të transmetimeve audio/audiovizive”.

AMA, gjatë vitit 2022, përgatiti Edicionin e 8-të të Buletinit Periodik, që jep një pasqyrë të dinamikës në tregun audio/audioviziv, ku përfshihen dhe tregues me natyrë ekonomike dhe financiare, teknike e teknologjike, pronësore, përmbajtësore, të burimeve njerëzore të angazhuara etj., të vitit 2021.

Buletini është një produkt i standardizuar dhe i qëndrueshëm, si ndihmë konkrete për analizuar problematika e prirje brenda një viti, përmbajtje faktografike që ndihmon vetë sektorin audioviziv, por dhe shfrytëzohet si lëndë e parë në detyrat e kursit të studentëve tri nivelet Bachelor, Master dhe Doktoraturë, si dhe nga kërkuesit e profilizuar në këtë fushë.

Një kontribut me rëndësi i AMA-s gjatë vitit të kaluar ishte dhe monitorimi i zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit. Mbështetur në përvojën pozitive të monitorimit të mbulimit nga OSHMA-të të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021, AMA realizoi monitorimin e OSHMA-ve edhe për zgjedhjet vendore në territorin e bashkive Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Ashtu sikurse edhe në procesin e mëparshëm edhe për monitorimin e këtyre zgjedhjeve nuk pati ankesa në drejtim të matjeve e vëzhgimeve të AMA-s, as nga OSHMA-të as nga subjektet politike garuese.

Të nderuar anëtarë të Kuvendit,

Ky prezantim përmbledhës mbi piketat kryesore të angazhimit institucional në vitin e kaluar, vetëm sa ka prekur aspekte thelbësore të performancës së AMA-s për vitin 2022. Më të plota në rrjedhën kronologjike dhe trajtimin problemor ju keni pasur rast t’i shikoni në mënyrë të imët në përmbajtjen e Raportit Vjetor 2022 që i është percjelle administrates se Kuvendit.

Ne kemi vlerësuar dhe vlerësojmë maksimalisht bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë, rekomandimet e lëshuara prej tij për institucionin tonë, por dhe dakordesime të tjera që patjetër do të vijojnë, në dobi dhe në interes të përmirësimit të punës, duke garantuar shërbim të përkushtuar e profesional, në cilësi dhe në kohë, në përmbushje të detyrave që na ngarkon kuadri ligjor në fuqi.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Perpara Njoftim shpallje për vend të lirë pune, Drejtor në Drejtorinë e Integrimit dhe Legjislacionit Ndërkombëtar.
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara