E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Kryetarja e AMA-s në Bruksel: Angazhim i plotë për transpozimin e Aktit Europian të Lirisë së Medias

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive mori pjesë në tryezën e diskutimeve mes vendeve kandidate dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian, e organizuar në kuadër të instrumentit TAIEX, mbi procesin e transpozimit të Aktit Europian të Lirisë së Medias (EMFA) në legjislacionet kombëtare. 

Takimi u zhvillua në Bruksel dhe kishte si qëllim kryesor mbështetjen e vendeve përfituese në procesin e transpozimit dhe zbatimit të Rregullores (BE) 2024/1083 – Akti Europian i Lirisë së Medias. Diskutimet u fokusuan në afatet e zbatimit të EMFA-s, të drejtat dhe detyrimet e ofruesve të shërbimeve mediatike, rolin e autoriteteve të pavarura rregullatore, funksionimin e tregut mediatik dhe çështjet e përqendrimit të medias.

Vëmendje e veçantë iu kushtua transparencës në shpërndarjen e fondeve publike për median, si dhe sfidave që burojnë nga mjedisi digjital, përfshirë ndikimin e platformave online, rreziqet e dezinformimit dhe mbrojtjen e pavarësisë editoriale.

Gjatë tryezës u theksua se EMFA përbën një gur themeli për garantimin e pluralizmit mediatik, lirisë së shprehjes dhe qasjes së publikut në informacion të besueshëm. Për vendet kandidate, transpozimi i këtij Akti vlerësohet si një hap thelbësor drejt përafrimit me standardet europiane dhe forcimit të ekosistemit mediatik në një realitet gjithnjë e më të digjitalizuar.

“Ne në AMA kemi vullnetin e plotë dhe kapacitetet e duhura profesionale për transpozimin e EMFA-s në legjislacionin tonë dhe zbatimin e këtij Akti. Tryeza të tilla janë të rëndësishme sepse shërbejnë si platforma dialogu dhe koordinimi, duke ofruar orientime konkrete për hapat që duhet të ndërmarrim”, u shpreh kryetarja e AMA-s.

Diskutimet trajtuan gjithashtu transparencën e pronësisë së medias, duke nënvizuar domosdoshmërinë e identifikimit të pronarëve përfitues dhe strukturave të kontrollit, si mekanizma kyç për parandalimin e ndikimeve të fshehta politike dhe ekonomike mbi përmbajtjen editoriale. Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e shpërndarjes transparente dhe objektive të fondeve të reklamës shtetërore, me qëllim që financimi publik të mos përdoret si instrument presioni apo favorizimi, por të shërbejë realisht për mbështetjen e pluralizmit dhe interesit publik.

Perpara Sfidat aktuale të tregut mediatik, Krasniqi takon në Prishtinë drejtues të Komisionit të Pavarur të Mediave
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara