Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive Znj. Armela Krasniqi mori pjesë në takimin e parë të Komitetit të Monitorimit të Instrumentit “Faciliteti i Reformave dhe Rritjes” (RGF), që bashkëkryesohet nga Koordinatori Kombëtar për RGF dhe përfaqësues të Komisionit Europian.
Ky Komitet përfaqëson takime të nivelit të lartë dhe në mbledhjen e parë të tij u diskutua progresi në zbatimin e Agjendës Kombëtare të Reformave 2024–2027, cilësia, sfidat dhe përputhshmëria e zbatimit të masave në kuadër të Instrumentit RGF, si dhe hapat e mëtejshëm për arritjen e objektivave të vendosura. Faciliteti për Reforma dhe Rritje (RGF) është Instrumenti i ri i Shqipërisë që teston gatishmërinë për anëtarësim në BE, ku disbursimi i fondeve lidhet drejtpërdrejt me rezultatet konkrete dhe performancën e vendit.
Në këtë Agjendë Reformash, AMA është e angazhuar në drejtim të forcimit të Lirisë së Shprehjes, në përputhje me standardet europiane, adresimin e strukturës së pronësisë së medias, transparenca mbi të cilën është një punë e kryer tashmë, nxitjen e procesit të Matjes së Shikueshmërisë, forcimin e kapaciteteve të transmetuesit publik etj.
Për Autoritetin e Mediave Audiovizive rregullimi i mëtejshëm i tregut audio dhe audioviziv sipas standardeve europiane, është objektivi kryesor i punës.