Kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi, ishte e ftuar në tryezën e organizuar nga rrjeti ndërdisiplinor kërkimor PLURILINGMEDIA, i cili zhvilloi një seminar dyditor në Tiranë, në Kolegjin e Europës. Seminari u fokusua në median dhe transformimin e saj, si dhe në ndikimin e këtij transformimi në diversitetin gjuhësor.
Znj.Krasniqi, e ftuar për të diskutuar në panelin me temë “Transpozimi i Direktivës Europiane të Shërbimeve Mediatike Audiovizive (AVMSD)”, u shpjegoi të pranishmëve përshtatjet ligjore të kryera në ligjin organik të AMA-s dhe zbatimin e tyre në praktikë.
“Media e re digjitale, përveç përfitimeve, ka sjellë edhe rritjen e fenomeneve negative, si gjuha e urrejtjes, diskriminimi në të gjitha format e tij, si dhe ekspozimi i fëmijëve ndaj rreziqeve të ndryshme. Këto janë edhe ndër objektivat kryesorë të punës së AMA-s, për të cilat punojmë çdo ditë, me synim rregullimin e mëtejshëm të tregut audioviziv dhe të Platformave Shumë të Mëdha Online (VLOP)”- u shpreh Znj.Krasniqi.
Me interes të veçantë nga të pranishmit u pritën edhe rezultatet e bashkëpunimit të AMA-s me platformat TikTok dhe X.













