E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Krasniqi në tryezën e konsultimit mbi draftin e Kodit të ri Penal: Do të donim më shumë mbrojtje të posaçme për gazetarët

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi ishte sot pjesë e tryezës konsultative mbi draftin e Kodit të ri Penal, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.
Me pjesëmarrjen e Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, Shefes së Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Giulia Re, drejtuesin e grupit të punës për hartimin e Kodit të ri Penal, Arben Rakipi dhe anëtarë të tjerë të këtij grupi, Kryetares së AMA-a, Armela Krasniqi, Dekanit të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Mark Marku, gazetarë dhe përfaqësues të shoqatave të gazetarëve u diskutuan konkretisht propozimet e këtyre aktorëve mbi draftin e Kodit të ri Penal.
“Për punën tonë, Liria e Shprehjes dhe E Drejta për Informim, përveçse të drejta themelore të njeriut, janë thellësisht orientuese në aktivitetin rregullator të tregut audioviziv. Bazuar mbi këto të drejta, dhe duke respektuar parimet e gazetarisë profesioniste, duke u mbështetur edhe në parimet që vijnë nga Këshilli i Europës, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut si dhe në standardet ndërkombëtare, kemi vlerësuar disa sugjerime mbi draftin e Kodit Penal, specifikisht në nenet 235, 267, 536, 863 dhe 865”- tha kryetarja e AMA-s Znj. Krasniqi 


Kryetarja e Autoritetit të Mediave iu referua Nenit 235, që e trajton talljen, përçmimin apo përbuzjen e institucioneve shtetërore si vepër penale të dënueshme deri në 3 vjet, e sipas saj kjo i lë vend interpretimeve të gabuara, gjithnjë duke i lidhur ato me aktivitetin e medias.
“Duke e parë nga këndvështrimi i medias dhe trajtimit të gazetarëve, gjykojmë se çdo kritikë politike, satirë, karikaturë apo artikull investigativ mund të interpretohet si “përdhosje” ose “përbuzje” e institucioneve. Gazetarët rrezikojnë ndëshkim penal për forma të ligjshme të kritikës demokratike. Ata rrezikojnë të vetëcensurohen për të shmangur interpretime penale të “përdhosjes”, të cituar në këtë nen (pra neni 235). Emisionet satirike, komentet politike, karikaturat ose postimet kritike në rrjete sociale mund të konsiderohen “tallje”, sipas përkufizimit të parashikuar në këtë nen të Kodit Penal. Me duhet të shtoj këtu se nuk ka një përkufizim të saktë ligjor të konceptit, “tallje”, “përbuzje”, “përçmim” – u shpreh Krasniqi.

Kryetarja e AMA-s u ndal dhe në nenin 267, “Përvetësimi, përpunimi dhe shpërndarja e paautorizuar e të dhënave”, duke nënvizuar disa dispozita problematike për median.

“Së pari, përdorimi i termit “media” në kontekst penal. Në paragrafin 3 dhe 5 të këtij neni parashikohen dënime me burg kur të dhënat e përvetësuara publikohen në media apo platforma komunikimi. Kjo formulë nuk dallon midis publikimit të ligjshëm në interes publik dhe publikimit me qëllim dëmprurës. Media mund të penalizohet edhe nëse publikon materiale të verifikuara, që kanë rëndësi publike (p.sh. korrupsion, abuzim pushteti), nëse ato materiale janë “të përvetësuara” nga një burim që nuk ka leje. Përveç kësaj ngremë pikëpyetjen mbi cenimin e Lirisë së Medias dhe Informimit”- saktësoi Krasniqi duke shtuar se Neni 22 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut garantojnë të drejtën për të marrë dhe përhapur informacione, përfshirë ato që burojnë nga “burime jozyrtare”.

E ndalur në komentin e këtij neni kryetarja e AMA-s Znj Armela Krasniqi solli rastin e Godwin kundër Mbretërisë së Bashkuar, 1996, gjykuar në Strasburg, rast i cili ka theksuar se gazetarët nuk mund të ndëshkohen për publikime në interes publik, edhe nëse burimi i informacionit ka vepruar në mënyrë të paligjshme.

Krasniqi dha sugjerimet konkrete dhe për Nenin 536 “Ndikimi në pavarësinë e gjykatës”, Neni 863 “Fyerja” si dhe Nenin 865 “Shpifja”, të mbështetura mbi një analizë të bërë në përputhje me standardet ndërkombëtare, dhe disa parime që vijnë nga rekomandimet e Këshillit të Europës dhe Konventës Europiane e të Drejtave të Njeriut.

“Draftit i mungojnë përkufizimet e sakta për termat “kërcënim serioz”, “opinion”, “media/platforma online”, “ndikim në pavarësinë e gjyqësorit”. Kjo, në gjykimin tonë lë hapësira për interpretim të gjerë, të cilat shpesh mund të jenë të gabuara. Heqja e nevojës për të provuar se gazetari e dinte që informacioni ishte i rremë – kjo bie ndesh me praktikën europiane kur shpifja si vepër penale kërkon që informacioni të jetë i përhapur me keqdashje, veçanërisht kur lidhet me figura publike” përfundoi Krasniqi duke shtuar se do të donte që draft Kodi i ri Penal të ofronte më shumë mbrojtje të posaçme për gazetarët, punonjësit e medias ose sinjalizuesit.

Perpara “E Ardhmja Digjitale e Komunikimit”, Krasniqi në Konferencën Ndërkombëtare për 20-vjetorin e ERC-së në Lisbonë
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara