E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Krasniqi kujton figurat e shquara të radios dhe ekranit ndër vite: “Mirënjohje për kontributin tuaj, keni qenë shkollë për ne”

Një urim special, për profesionistë veteranë, me vlera të çmuara në media, ka përcjellë kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, në prag të festave të këtij fundviti. Për të kujtuar kontributin e dhënë, për t’ju shprehur mirënjohjen për themelet e hedhura nga ata në median shqiptare, Krasniqi ka organizuar një pritje të veçantë, në nder të figurave të shquara ndër vite, të radios dhe ekranit. 

Regjisorë, folës, gazetarë, operatorë, teknikë dhe profesionistë të tjerë të medias, pionierë të Radio-Televizionit publik, të cilët ushqyen median shqiptare me përvojën e tyre të jashtëzakonshme, kanë shprehur emocione për ftesën e veçantë duke e shndërruar në një takim mbresëlënës, me shumë kujtime, mall, urime e trokitje gotash, pritjen e organizuar nga Krasniqi.

“Është privilegj për mua ta mbyll vitin e rrethuar nga personalitete si ju, me kontribute të jashtëzakonshme në media dhe jetën publike. Ju keni qenë shkollë për ne dhe ajo çfarë më bën të ndihem mirë sot është se duke qenë vetë nga bota e medias, duke qenë se jam rritur me shembullin e shumë prej jush, duke qenë se edhe vetë e kam nisur karrierën shumë e vogël në një gjigand mediatik siç është RTSH, përveç mirënjohjes sot ndjej edhe shumë nostalgji”- tha Krasniqi duke ju uruar jetë të gjatë e festa të gëzuara.

Ferdinand Samarxhi gazetar tha se: Ky aktivitet duhet gjithmonë të ndryshojë mendjet e gazetarëve që, kudo që të jenë, të jenë të denjë për atë çka shkruajnë me integritet, me dinjitet, të pasqyrojnë realitetin e kohëve ashtu siç dhe ne, veteranët që jemi sot, i pasqyrojmë me kushtet tona realitetin dhe sfidave, përjetuam ato dhe i pasqyruam më së miri.

Ndërsa Xhelil Aliu, regjisor, një ndër folësat më në zë të Radio Tiranës shprehu emocion për këtë takim ndërsa tha se kishte mall për kolegët e kohët e kaluara bashkë. “Duke parë njëri-tjetrin na shfaqjen filma në imazhin tonë, në imagjinatën tonë, filma të kohëve të shkuara, të 45 e 50 vjetëve më parë, kur na u dha shansi që të punojmë në një institucion të tillë siç ishte Radio Televizioni në atë kohë.

Ëngjëll Ndocaj gazetar në TVSH, nderoi në fjalën e tij të gjithë ata që nuk janë më pranë nesh.  “Në respekt të gjithë atyre që s’janë gjallë, që janë shumë, dhe veçanërisht të të parëve, mendoj që sonte neve, duke marrë pjesë këtu, i kujtojmë edhe ato me nderim dhe respekt”- tha regjisori.

Ndërsa Timo Luto, një ndër gazetarët e njohur në RTSH u shpreh se: Kemi qenë me fat. Se kemi lënë një emër, kemi punuar me përgjegjësi, kemi punuar me objektivitet, kemi punuar dhe kemi përcjellë te publiku mesazhet reale të ngjarjeve.

Katjushka Pogaç, gazetare pasi falënderoi kryetarën e AMA-s u shpreh se të të kujtohesh, të jesh mirënjohëse, është një vlerë e madhe.

Mevlan Shanaj, regjisor, aktor u shpreh se Televizoni Shqiptar ka qenë një institucion për të cilin duhet të krenohen të gjithë.

Në podium u ngjit dhe gazetari sportiv Dëfrim Methasani i cili me emocion u shpreh se iu duk ky takim si hera e parë që shkeli në RTSH më 1992.  “Duke parë gjithë këta personalitet këtu, u ndjeva shumë i emocionuar dhe shumë i lumtur, sepse Televizioni Shqiptar na dha emrin, ne i dhamë punën dhe jetën. Unë erdha në Televizionin Shqiptar Dëfrim dhe Televizioni Shqiptar më bëri Dëfrim Methasani. Ndaj dua të shpreh një mirënjohje për të gjithë ju që jeni këtu, sepse secili nga ju keni ndikuar në jetën time profesionale dhe një homazh për kolegun tim, mikun tim, njeriun që punova 25 vjet me të, Vladimir Grillo”- përfundoi ai.

Ndër të pranishmit ishin pionerë të RTSH, si Kozeta Mamqi, Bashkim Zeneli, Pali Kuke, Dhimitër Gjoka e shumë të tjerë të cilët kanë i kanë dedikuar televizionit publik jetën e tyre.

Perpara Takimi për Platformën e Dialogut për Median, Krasniqi: AMA ka realizuar shumë procese, kemi gati ndryshimet ligjore me transpozimet e EMFA-s, DSA-së dhe AVMSD-së
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara