Vijojnë konsultimet me operatorët e autorizuar nga AMA, për ndryshimet që propozohen në rregulloren, “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së autorizimeve”.
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi, diskutoi me përfaqësuesit ligjorë të Digicom, Digitalb, Vodafone, ONE Albania dhe Tring, për ndryshimet e propozuara, që parashikojnë kritere të reja lidhur me marrjen e autorizimit.
Në propozimin për ndryshimet në rregullore, janë shtuar masa të reja përforcuese ligjore, në mënyrë që subjektet të ofrojnë shërbimin për të cilin janë të autorizuar, por edhe masa lehtësuese sa i takon dokumentacionit që kërkohet nga OSHMA-të në kërkesën e tyre për autorizim apo rinovim autorizimi.
Kryetarja e AMA-s u tha të pranishmëve se përmes këtyre ndryshimeve synohet dhënia fund e manipulimit të shpërndarjes së sinjalit tokësor, për qëllime që bien ndesh me licencimin dhe të drejtat e transmetimit.
“Njëkohësisht nuk do të reshtim së luftuari çdo lloj paligjshmërie që cenon konkurrencën dhe mbajtësit e të drejtave”- theksoi Znj. Krasniqi.
Deri më tani turi i konsultimeve është shtrirë në Qarqet e Dibrës, Kukësit, Lezhës, Elbasanit, Durrësit e Tiranës dhe do të vijojë edhe në qarqe te tjera të vendit.