Mbrojtja e shëndetit publik dhe lufta kundër dezinformimit shëndetësor bëri bashkë në një tryezë ndërinstitucionale kryetaren e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Z. Ilir Proda, Rektorin e Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Xheladin Draçini si dhe mjekë të njohur e media.
Në këtë tryezë të rrumbullakët që u organizua nga Dr. Skënder Brataj, si Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Urgjencës Mjekësore dhe Katastrofave (SHSHMUK), një nga çështjet më të diskutuara ishte keqinformimi për çështje të shëndetit nga të ashtuquajtur mjekë por pa licencë, apo të vetëquajtur mjekë holistikë e alternativë që premtojnë magji shëndetësore jetëshpëtuese duke i ftuar njerëzit të heqin dorë nga medikamentet dhe këshillat e mjekëve të vërtetë.
Profesionistët e mjekësisë dëshmuan se këta lloj individësh kanë marrë edhe jetë njerëzish për përfitime personale.
Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi u shpreh se, institucioni që ajo drejton është i hapur dhe i gatshëm për çdo kontribut të kërkuar nga profesionistët e fushës, qoftë ai edhe ligjor që premton të përmirësojë këtë situatë.
“Kemi përsëritur vazhdimisht dhe vazhdojmë të theksojmë se mediat audiovizive duhet të shpërndajnë informacion të saktë për mjekët dhe shërbimet, në mënyrë që publiku të marrë vendimin e duhur për shëndetin e tij. Mesazhet e gabuara mund të nxisin pritmëri të parealizueshme, mund të ndikojnë tek të sëmurët ose publiku për trajtime të panevojshme, duke sjellë madje dhe vënien në rrezik të jetës të tyre”-nënvizoi Znj. Krasniqi.
Autoriteti i Mediave Audiovizive e ka të përcaktuar qartë pozicionin e saj sa i takon reklamave shëndetësore apo trajtimit të çështjeve të shëndetit nga operatorët audio dhe audiovizivë. Ligji për “Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Kodi i Transmetimit dhe Rregullorja e Komunikimeve Tregtare përcaktojnë qartë llojet e shkeljeve ligjore, qoftë në rastin e reklamave, qoftë në përmbajtje audiovizive dhe situata monitorohet më të gjithë seriozitetin e nevojshëm ndërsa për çdo shkelje janë marrë edhe masa sipas ligjit.
Megjithatë, teknologjia dhe format e reja të komunikimit, përveç përfitimeve që kanë sjellë, kanë shtuar edhe rastet abuzive që rrezikojnë shëndetin e popullatës.
Në përfundim të këtij takimi u pa i nevojshëm bashkëpunimi i të gjithë aktorëve që raste të tilla, të mos ndodhin dhe të mos përhapen.