Rregullatori britanik i transmetimeve, Ofcom-i gjobiti me 30 mijë paund një televizion për një debat live pas sulmit ndaj një gjenerali indian. Në emisionin e 1 tetorit 2012, disa panelistë thanë se gjenerali e meritonte sulmin dhe përgëzuan autorët (ofcom.org.uk).
Kjo praktikë e vendeve të zhvilluara është sjellë në vëmendje të publikut e gazetarëve për të kuptuar qartë sanksionet që ndërmerren ndaj mediave audiovizive, në raste kur nxitet dhunë.
Sipas Ofcom-it, disa të ftuar e paraqitën sulmin si një shërbim ndaj komunitetit të tyre dhe lanë të kuptohej se do të ishte e kuptueshme nëse të rinj të tjerë do ta përsërisnin. Moderatori nuk e dënoi sulmin. Në fund të emisionit pati komente për qetësi dhe vetëpërmbajtje nga moderatori, por përsëri Ofcom-i i vlerësoi si të pamjaftueshme.
Ofcom-i arriti në përfundimin se deklaratat mund të nxisnin akte të tjera dhune. Rasti britanik vjen në vëmendje në kuadër të debatit për gjobat e AMA-s ndaj disa televizioneve shqiptare. Në një nga videot e publikuara nga AMA dëgjohen thirrje për përmbysjen me armë të qeverisë dhe Kuvendit, si dhe për pushkatimin e një politikani. Në fragmentin e publikuar, moderatori nuk ndërhyn.