Fjala është përgjegjësi e madhe e po kështu edhe mosreagimi. Nëpërmjet shembullit të mëposhtëm sjellim në vëmendje se si reagojnë rregullatorët e vendeve të zhvilluara. Më 30 mars 2019, në një studio televizive në Britaninë e Madhe, moderatori dhe të ftuarit po diskutonin për një drejtues radioje që kishte kritikuar disa aspekte të besimit të tyre. Emisioni po transmetohej drejtpërdrejt (live).
Në një moment, një nga të ftuarit tha se dikush mund ta bënte atë drejtues radioje «shënjestër të një plumbi».
Çfarë ndodhi më pas? Moderatori ndërhyri. Por Ofcom-i, rregullatori britanik i medias, vlerësoi se ndërhyrjet e moderatorit nuk i kundërshtuan qartë deklaratat e të ftuarve dhe nuk i dhanë publikut kontekst të mjaftueshëm.
Rregullatori britanik Ofcom (homolog i AMA-s) mori parasysh se emisioni ishte live dhe e gjobiti televizionin vetëm me 30 mijë paund për atë transmetim.
Në një emision të drejtpërdrejtë (live), moderatori mund ta dëgjojë deklaratën për herë të parë bashkë me publikun. Pasi u dëgjua thirrja për dhunë, çfarë dëgjoi tjetër publiku nga studioja? Një reagim të dobët e të paqartë.
Po i publikoj këto raste nga vende me demokraci që i vlerësojmë për lirinë e medias, sepse dua të shohim së bashku si e trajtojnë përgjegjësinë editoriale dhe të reflektojmë edhe ne për mënyrën si reagojmë në ekran.
Publikimi i këtyre rasteve i shërben edhe informimit të publikut për standardet e përgjegjësisë editoriale që ka të drejtë t’ua kërkojë televizioneve tona, përfshirë reagimin e qartë ndaj thirrjeve për dhunë gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta.

