Kryetarja e AMA-s Znj.Armela Krasniqi është vlerësuar me ikonën e Mirënjohjes, për nismën që AMA ka ndërmarrë prej një viti, “FOL SHQIP”. Në nisje të sezonit të ri televiziv, në eventin e organizuar nga RTV21 dhe emisioni “Fol Shqip Show”, me pjesëmarrjen e personaliteteve nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora, AMA-s i është atribuar certifikata e Mirënjohjes.
Nisma “Fol Shqip”, që synon ruajtjen dhe pastërtinë e gjuhës shqipe, nisi nga AMA pas fenomenit shumë të përhapur të përdorimit të fjalëve të huaja, të panevojshme, jo vetëm në përditshmëri por edhe në media. Shumë shpejt kësaj nisme iu bashkuan gjuhëtarë e gazetarë, të cilët jo vetëm që e kanë përkrahur, por edhe janë bërë pjesë e saj me kontribute të veçanta.
Pjesë e kësaj përkrahje ka qenë edhe bashkëpunimi i lidhur me emisionin e Altin Markut, autor i “Fol Shqip Show”, që transmetohet në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku në çdo program do të pasqyrohen edhe gjetjet e AMA-s për fjalët e huaja të panevojshme të përdorura në media dhe gjegjëset e tyre në gjuhën shqipe.
Për kontributin dhe qëllimin që kjo nismë ka, është vlerësuar edhe me Certifikatën e Mirënjohjes.
“Gjuha është identiteti dhe një ndër pasuritë më të çmuara që ne kemi, ndaj është detyrë e secilit prej nesh ta duam e ta mbrojmë. Bashkuam forcat me Altinin që, gjetjet e AMA-s për përdorimin e fjalëve të huaja të panevojshme, të pasqyrohen edhe në emisionin e tij, në mënyrë që gjithkush, sa herë të thotë një fjalë të huaj të panevojshme, të kujtohet që kjo fjalë ka gjegjësen e vet në shqip”, u shpreh kryetarja e AMA-s Znj.Armela Krasniqi në ceremoninë e marrjes së ikonës së Mirënjohjes.
Nisma e Autoritetit të Mediave Audiovizive është mbështetur dhe nga gjuhëtarë të njohur në vend. Përveç monitorimit që bëjnë ekipet e AMA-s, Autoriteti I Mediave Audiovizive ka bashkëpunim edhe me gjuhëtaren Adelina Qosja Çerpja nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, në Akademinë e Shkencave, e cila sjell edhe gjetjet e veta të përdorimeve të formave të gabuara gjuhësore, bashkë me përdorimin e saktë të tyre.