Sot, në ambientet e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi, zhvilloi një takim të rëndësishëm institucional me Ambasadorin Jan Braathu, Përfaqësues i OSBE-së për Lirinë e Medias, Clarisse Pasztory, Zëvendësshefe e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Barbara Trionfi, Këshilltare e Lartë e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, Dane Koruga, Shef i Departamentit të Demokratizimit në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, si dhe Adis Mustedanagic, Sekretar i Lartë i Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias.
Takimi u fokusua në rolin e OSBE-së si një nga partnerët strategjikë më të rëndësishëm të AMA-s në forcimin e standardeve demokratike, lirisë së shprehjes dhe konsolidimin e një mjedisi mediatik të pavarur e transparent, në përputhje me standardet evropiane.
Gjatë diskutimeve, Ambasadori Braathu shprehu interes të veçantë për të njohur më nga afër funksionimin institucional të AMA-s, qasjen e rregullatorit ndaj publikut, si dhe mekanizmat administrativë dhe ligjorë që garantojnë trajtimin e ankesave të paraqitura nga qytetarët dhe grupet e interesit lidhur me përmbajtjet audiovizive. Vëmendje e veçantë iu kushtua numrit të ankesave të administruara nga institucioni, procedurave të shqyrtimit të tyre, si dhe rolit të AMA-s në garantimin e balancës ndërmjet lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së publikut nga përmbajtjet e dëmshme.











