AMA publikon të dhëna monitorimi mbi përmbajtjet e transmetuara
Në plotësim të detyrave institucionale dhe në zbatim të ligjit 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, në mënyrë periodike publikon në faqen e vet online të dhëna mbi monitorimin e përmbajtjeve që transmetohen nga subjektet audio dhe audiovizive.
Duke u fokusuar në edicionet informative kryesore të televizioneve kombëtare TVSH, Top Channel dhe Klan, si dhe operatorët audio kombëtarë Radio Tirana e Top Albanian Radio, në website-n e Autoritetit publikohen tregues që lidhen me tematikën e lajmeve dhe informacioneve, kohën që u lihet në dispozicion institucioneve dhe subjekteve politike, protagonistëve etj. Duke filluar nga 1 janari i këtij viti AMA po publikon dhe të dhëna të përmuajshme nga volumi mbi reklamat në tre televizionet TVSH, Top Channel dhe Klan.
Për cilindo të interesuar, të dhënat për çdo muaj, janë të disponueshme në faqen online të AMA-s, www.ama.gov.al, duke klikuar në rubrikën “Veprimtari” dhe duke vijuar më tej tek nënrubrika “Monitorime”.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, më 11.05.2016