E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

AMA përmbyll fushatën e Edukimit Mediatik në kopshte. Qindra pjesëmarrës bëhen pjesë e fushatës: prindër, gjyshër dhe edukatore

Është përmbyllur me sukses faza e dytë e fushatës së Edukimit Mediatik, e zhvilluar nga AMA. E titulluar, “Kompetencë mediatike për moshat parashkollore”, e hartuar dhe drejtuar nga Këshilli i Ankesave, kjo fushatë u konceptua si një cikël bisedash informuese dhe ndërgjegjësuese me prindër dhe edukatorë dhe kishte si objektiv fëmijët parashkollorë të moshës 5-6 vjeç. 
 
Për shkak të veçorive të zhvillimit të tyre moshor dhe nevojës për orientim në botën mediatike dhe digjitale, në prag të një hapi të rëndësishëm të jetës së tyre, siç është shkollimi, faza e dytë e Edukimit Mediatik nga AMA është përqendruar në 20 kopshte, në të gjitha njesitë administrative të Tiranës. Në çdo kopsht ku ekipet e AMA-s kanë qenë, janë zhvilluar biseda informuese dhe edukuese, bashkëbisedim me prindër, gjyshër dhe edukatorë të pranishëm, janë transmetuar video informuese të realizuara nga AMA si dhe janë shpërndarë materiale të publikuara për këtë qëllim. Vëmendje e veçantë në këto biseda i është kushtuar nevojës së orientimit të fëmijës në mjedisin audioviziv dhe përdorimit të mekanizmave mbrojtës për shëndetin e tij fizik dhe mendor, ushtrimit të kontrollit prindëror mbi praninë dhe sjelljen e fëmijës në internet, mënyrave të kufizimit të kohës së fëmijës online, mbrojtjen e tij nga rreziqet kibernetike, etj.
 
Në përfundim të kësaj faze, gjatë këtyre javëve janë shënuar 425 pjesëmarrës nga të cilët: 12% edukatore; 14% gjyshër dhe 74% prindër, prej të cilëve 16% baballarë
 
Shqetësimet e përgjithshme të shprehura nga të pranishmit lidheshin kryesisht me zakonet e këqia si pasojë mungesën e kohës nga ana e prindërve; ndikimi negativ i mjedisit; mosfunksionimi i disa mekanizmave të kontrollit online (psh. Yotube Kids) për territorin shqiptar; mospërdorimi i rregullt i sinjalistikës nga TV etj.
 
Në çdo takim të pranishmit kanë shprehur interes dhe kanë kërkuar më shumë informacione për veçori të përdorimit të duhur të internetit, rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale në mjediset digjitale si edhe për mjetet e mbrojtjes prej rreziqeve që vijnë prej hapësirës kibernetike etj.
 
Për realizimin e këtij projekti, në mënyrë që të garantohet efektivitet dhe shpërndarje gjeografike, AMA ka pasur bashkëpunimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Kopshteve dhe Çerdheve të Bashkisë Tiranë.
 
Perpara Me Britaninë e Madhe përballë, Armela Krasniqi votohet nën/Kryetare e Platformës Europiane të Enteve Rregullate, EPRA. Për herë të parë Shqipëria arrin në nivele të tilla drejtuese

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara