Autoriteti i Mediave Audiovizive ka nisur një cikël të ri videosh informuese në kuadër të programit të Edukimit Mediatik, me titull “1 minutë për 1 prind”, një nismë që synon të mbështesë prindërit në përballjen me sfidat e botës digjitale.
Seria përbëhet nga video të shkurtra, praktike dhe lehtësisht të kuptueshme, të përgatitura nga ekipet e AMA-s. Çdo episod trajton një temë konkrete që lidhet me përdorimin e internetit dhe teknologjisë nga fëmijët, duke ofruar këshilla të thjeshta dhe të dobishme për prindërit.
Përmes këtij cikli, AMA synon të ndihmojë familjet të kuptojnë më mirë mjedisin digjital ku rriten dhe komunikojnë fëmijët, të forcojnë dialogun mes prindërve dhe fëmijëve, si dhe të rrisin ndërgjegjësimin për sigurinë në internet.
Nisma është pjesë e angazhimit të AMA-s për promovimin e edukimit mediatik dhe digjital, duke inkurajuar një përdorim të përgjegjshëm, të sigurt dhe të ndërgjegjshëm të teknologjisë.
Me mesazhin “Prindër të informuar, fëmijë më të sigurt në botën digjitale”, AMA fton të gjithë prindërit të ndjekin këtë seri videosh, të cilat do të publikohen periodikisht dhe do të ofrojnë orientim praktik për sfidat që sjell epoka digjitale.