AMA miratoi rregulloren për transmetimin pa shpërblim të informacionit me interes të lartë
Në mbledhjen e datës 04.04.2016, bordi Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA ka diskutuar dhe mbi projektrregulloren e re të transmetimit pa shpërblim të informacioneve, mesazheve dhe njoftimeve me interes të lartë për publikun e gjerë. Kjo rregullore iu nënshtrua më parë dhe procesit të konsultimit publik me grupet e interesuara. Bordi i AMA-s me shumicë votash të antarëve e ka miratuar këtë rregullore, e cila ka përcaktuar qartë llojin dhe tipologjinë e informacioneve, mesazheve dhe njoftimeve që konsiderohen se paraqesin interes të lartë për publikun e gjerë, subjektet që emetojnë këtë lloj informacioni, si dhe kushtet e transmetimit nga ana e ofruesve të shërbimit mediatik audio dhe audioviziv.
Si reflektim i ligjit 97/2013 “Mbi transmetimet audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, përmes këtij akti nënligjor përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e OSHMA-ve për transmetimin pa shpërblim të informacionit me interes të lartë, si dhe të gjithë palëve të interesuara në publikimin e mesazheve të tilla.
Informacionet, mesazhet dhe njoftimet me interes të lartë për publikun e gjerë të cilat emetohen nga subjektet audiovizive pa shpërblim, konsiderohen ato përmbajtje të cilat synojnë të rrisin ndërgjegjësimin, informimin e qytetarëve dhe sjelljet e tyre në çështje me ndjeshmëri sociale, si dhe që lidhen drejtpërdrejtë me mbrojtjen e shëndetit, fatkeqësitë natyrore dhe njerëzore, rendin publik dhe sigurinë kombëtare.
Sipas rregullores së sapomiratuar, këto përmbajtje nuk krijojnë në asnjë rast përfitim financiar për institucionet në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar, të cilat janë porositës të tyre.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, më 04.04.2016