E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

AMA mbledh televizionet lokale dhe rajonale për Matjen e Shikueshmërisë. Miratohet formula e përzgjedhjes së 3 përfaqësuesve në Komitetin e Përbashkët të Industrisë

Siç u vendos në tryezën e dytë, të organizuar pak ditë më parë për Matjen e Shikueshmërisë, AMA ka mbledhur sot përfaqësuesit e televizioneve lokale dhe rajonale për të diskutuar mbi procesin e përzgjedhjes së 3 përfaqësuesve në Komitetin e Përbashkët të Industrisë. Pas diskutimesh e debatesh të shumta, palët kanë votuar dhe kanë rënë dakord për formulën që do të përdoret për përzgjedhjen, e cila do të bazohet në këto kritere:

  • Rotacion vjetor, i përcaktuar nga rezultatet që do të dalin nga matja e audiences
  • Numri i punonjësve të siguruar dhe vlera e sigurimeve shoqërore e dy viteve të fundit.

 

Në tryezën e dytë për Matjen e Audiencës, të organizuar më 31 janar, ku morën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë drejtues të operatorëve që prodhojnë përmbajtje apo programe audiovizive, si dhe të agjencive të reklamave që operojnë në treg, u ra dakort për ngritjen e Komitetit të Përbashkët të Industrisë me 9 anëtarë sipas formulës:

-përfaqësues të 3 televizioneve private me licencë kombëtare;

-përfaqësues të 3 televizioneve lokale/rajonale;

-Televizioni Publik Shqiptar;

-dy përfaqësues nga Shoqata e Agjencive të Reklamave; 

 

Në këtë takim, përfaqësuesit e televizioneve lokale/rajonale kërkuan më shumë kohë për të studiuar shembujt që AMA prezantoi mbi metodologjinë e përdorur nga vende të ndryshme të Rajonit dhe Europës për matjen e audiencës, si dhe për të vendosur për mënyrën e përzgjedhjes së 3 përfaqësuesve të tyre.

Në cilësinë e autoritetit rregullator të pavarur, AMA ka luajtur një rol nxitës për procesin, deri në krijimin e Komitetit të Përbashkët të Audiencës si dhe duke dhënë ndihmën e vet, sipas nevojës, për metodologjinë që do të zbatohet për matjen e audiencës në Shqipëri.

Në këtë kuadër, sot u mbajt tryeza e radhës, kësaj here vetëm për përfaqësuesit e televizioneve lokale dhe rajonale, të cilët ranë dakort për formulën se si do të bëhet kjo përzgjedhje.

 

Vlerësimi i shikueshmërisë është tregues i sasisë dhe përbërjes së audiencës për programet televizive. Me këtë informacion, OSHMA-të mund të rregullojnë përmbajtjen e programeve të tyre dhe oraret e transmetimit, në përgjigje të reagimit të audiencës. Realizimi i matjes së audiencës është domosdoshmëri për realitetin e tregut audioviziv shqiptar, si një instrument i rëndësishëm për identifikimin e shtrirjes së ndikimit mediatik të OSHMA-ve në publikun e gjerë, për forcimin e transparencës në tregun audioviziv, rritjen e shumëllojshmërisë së shërbimeve audiovizive etj.

Perpara Njoftim shpallje për vend të lirë pune, Përgjegjës në Sektorin e Financës dhe Buxhetit, Drejtoria e Financës dhe Shërbimeve.

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara