E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

AMA marrëveshje bashkëpunimi me ISHMT. Krasniqi: Mbrojtja e të drejtës së transmetimit, prioritet për ne

Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi ka nënshkruar sot një Memorandum Bashkëpunimi me Inspektoriatin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut. Kjo marrëveshje synon të sigurojë, parandalojë dhe ndalojë shkeljen e të drejtave të transmetimit dhe të ndihmojë në ndërgjegjësimin për respektimin e të drejtës së autorit dhe të drejtat e lidhura me të, në transmetimet audio dhe audiovizive. 

“Respektimi i të drejtës së transmetimit të përmbajtjeve audiovizive dhe lufta kundër Piraterisë është një ndër objektivat kryesorë të punës tonë, ka thënë gjatë takimit kryetarja e AMA-s. “Grupet e inspektimit në AMA janë vazhdimisht në terren dhe rastet e konstatuara të shkeljeve të ligjit si dhe format e reja të piraterisë online e vënë theksin tek fenomene shqetësuese që ekzistojnë në tregun mediatik shqiptar, në lidhje me këto të drejta. Për këtë arsye çdo partner në luftën kundër shkelësve dhe mbrojtjen e subjekteve të ligjshëm, jo vetëm që është i mirëpritur, por edhe shton shpresat për një rregullim të mëtejshëm dhe më të mirë të tregut audioviziv”.

Diskutimet me kreun e ISHMT, Edison Konomi dhe stafin e tij, janë përqendruar në format më të mira të bashkëpunimit të lidhur me nënshkrimin e këtij Memorandumi, që nga krijimi i një Task-Force të përbashkët e deri tek iniciativat ligjore që mund të ketë nevojë në të ardhmen. Krerët e të dy institucioneve kanë shprehur gatishmërinë për hartimin e planeve të përbashkëta të punës, që ndihmojnë në rregullimin e mëtejshëm të tregut, qoftë atij mediatik audioviziv, qoftë respektimit të të drejtës së autorit.

Marrëveshja e lidhur sot ka si qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushat e interesit të përbashkët të institucioneve, duke përmirësuar kontrollin mbi tregun e transmetimeve, rritjen e efikasitetit në zbatimin e legjislacionit dhe për të garantuar një mjedis të rregulluar dhe të drejtë në sektorin e mediave.

Perpara Mbrojtja e të drejtave të minoriteteve në transmetimet audiovizive. Delegacioni estonez pritet nga kryetarja e AMA-s
guest


0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara