Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) vijon ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e përdorimit të platformave dhe shërbimeve televizive të ligjshme, si një nga mënyrat më të rëndësishme për të luftuar piraterinë audiovizive.
Pirateria televizive mund të shfaqet në forma të ndryshme, përmes shërbimeve IPTV të paligjshme, pajisjeve të modifikuara, si Kodi Box apo Android TV, si dhe aplikacioneve dhe faqeve të paautorizuara online që ofrojnë përmbajtje audiovizive pa të drejtat përkatëse të transmetimit.
AMA u bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm në përzgjedhjen e shërbimeve televizive dhe të mos blejnë produkte apo shërbime nga subjekte që nuk zotërojnë të drejtat e transmetimit.
Përdorimi i platformave të ligjshme nuk është vetëm një zgjedhje në përputhje me ligjin, por kontribuon edhe në krijimin e një mjedisi mediatik të qëndrueshëm, ku respektohen të drejtat e transmetimit, mbrohet publiku dhe vlerësohet puna e krijuesve dhe ofruesve të ligjshëm të përmbajtjes.
Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm kundër piraterisë audiovizive, AMA rikujton se kontributi i çdo përdoruesi është i rëndësishëm. Zgjedhja e shërbimeve të ligjshme ndihmon drejtpërdrejt në kufizimin e përhapjes së përmbajtjeve të paautorizuara dhe në forcimin e një tregu audioviziv të rregullt dhe të përgjegjshëm.
Për të verifikuar subjektet e licencuara, qytetarët mund të konsultojnë faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Audiovizive.