Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, në përmbushje të detyrimeve që ka nga zbatimi i kërkesave të Kodit Zgjedhor, ju përcjell një njoftim të ri nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, për ndalimin e zhvillimit të veprimtarive me karakter publik.
AMA kërkon nga të gjitha OSHMA-të që të mos përfshijnë aktivitetet e përmendura nga KQZ në transmetimet e përmbajtjeve audiovizive. Autoriteti do të vijojë procesin e monitorimit dhe në rast të identifikimit të rasteve të transmetimit të aktiviteteve të listuara si “Ndaluar nga KQZ”, siç janë konsideruar aktivitetet e mëposhtme, do të njoftojë zyrtarisht KQZ-në për vijimin e procedimit administrativ sipas legjislacionit në fuqi.
Më poshtë gjeni njoftimin e KQZ-së:
Veprimtaritë publike me objekt:
1. “Inspektim punimesh, kanali i ujërave të larta, Lushnjë (me media sociale)”, me pjesëmarrës: Taulant Balla, Eriselda Sefa, raportuar më datë 25 mars, për t’u zhvilluar më datë 30 mars
2. “Inspektim punimesh, muri mbajtës, lagja ‘Kongresi’, Lushnjë (me media sociale)” me pjesëmarrës: Taulant Balla, Eriselda Sefa, raportuar më datë 25 mars për t’u zhvilluar më datë 3 mars
3. “Inspektim punimesh, palestra e shkollës ‘Foto Puka’ Lushnjë (ripublikim, me media sociale)”, me pjesëmarrës: Taulant Balla, Eriselda Sefa, raportuar më datë 25 mars për t’u zhvilluar më datë 30 mars
4. “Inspektim punimesh, markatë në lagjen ‘Xhevdet Nepravishta’, Lushnjë (me media sociale)”, me pjesëmarrës: Taulant Balla, Eriselda Sefa, raportuar më datë 25 mars për t’u zhvilluar më datë 30 Mars
5. “Dita Kombëtare e Mjekëve, Lushnjë (takim me mjekë, me media sociale)”, me pjesëmarrës: Taulant Balla, Eriselda Sefa, Laureta Xhafa, mjekë të Lushnjës, raportuar më datë 25 mars për t’u zhvilluar më datë 30 Mars
referuar neneve 91, 92, pikat 1, 2 dhe 4 të Kodit Zgjedhor dhe vendimit nr. 9, datë 24.12.2020, të Komisionit Rregullator, përbëjnë veprimtari të ndaluara.
Në këto kushte, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi të ndalojë zhvillimin e këtyre veprimtarive. Ndalimi është kryer në ndërfaqen e raportimit, të KQZ-së nëpërmjet vendosjes së shënimit “Ndaluar nga KQZ”, në aktivitete të ndaluara. Kur ka vendim ndalimi, veprimtaria nuk mund të zhvillohet.
Gjithashtu, referuar nenit 9, pika 4 të vendimit nr. 9, datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator, i drejtohemi Autoritetit te Mediave Audiovizive të marrë masa që mos të lejohet transmetimi apo të pasqyrohet në rubrikat e lajmeve apo ato që mbulojnë fushatën në radio dhe televizione.”