Bordi drejtues i Autoritetit të Mediave Audiovizive u mblodh sot, me datë 29.08.2019 dhe trajtoi si një ndër çështjet kryesore ecurinë e procesit të Digjitalizimit në qarqet Tiranë, Durrës, Vlorë.
Në kuadër të vlerësimit dhe analizimit të situatës në lidhje me informimin e qytetarëve për procesin e digjitalizimit si dhe pajisjen e tyre me dekodera, AMA ka kryer sondazhe periodike me një kampion prej 1600 të intervistuarish. Nga sondazhet e kryera ka rezultuar se një numër i konsiderueshëm qytetarësh shohin vetëm transmetime analoge.
AMA gjithashtu ka kërkuar informacion nga operatorët ekonomikë në treg lidhur me sasinë e dekoderëve që disponojnë. Ky informacion nuk është vënë në dispozicion nga disa operatorë, kryesisht platformat audiovizive të cilat tregtojnë dekodera. Gjithashtu, informacion i është kërkuar edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave lidhur me sasinë e dekoderëve të importuar në vendin tonë, por informacioni i përcjellë nuk konsiderohet i plotë edhe nga vetë ky autoritet.
Në mungesë të këtyre informacioneve, AMA nuk mund të identifikojë sasinë e dekoderëve të disponueshëm në treg me qëllim plotësimin e nevojave të popullsisë e cila ende nuk është pajisur me dekoder.
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, përcaktimet në Strategjinë për Kalimet në Transmetime Numerike, sipas të cilës transmetimet analoge në një zonë të caktuar mbyllen pasi e gjithë popullsia (ose pjesa më e madhe e saj të jetë pajisur me marrës numerikë), dhe referuar rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, si dhe duke vlerësuar faktin që në qarqet Tiranë, Durrës dhe Vlorë, banon gjysma e popullsisë së vendit dhe impakti i këtij procesi është i ndjeshëm tek shumë qytetarë, Bordi i AMA-s unanimisht vendosi:
- Shtyrjen e afatit të mbylljes së transmetimeve analoge në qarqet Tiranë, Durrës dhe Vlorë me 30 ditë.
- Operatorët ekonomike në treg, kryesisht platformat audiovizive të cilët tregtojnë dekodera, të vënë në dispozicion të AMA-s informacionin e kërkuar në mënyrë të përsëritur, lidhur me sasinë e dekoderëve që disponojnë.
- Operatorët privatë kombëtarë të cilët ende nuk mbulojnë me sinjal numerik zonat urbane (Bashkitë Sarandë, Himarë), të marrin masa të menjëhershme për shtrimin e infrastrukturës digjitale edhe në këto zona.
- T’i drejtohet qeverisë me kërkesën për ngritjen e menjëhershme të Komitetit Ndërinstitucional të punës për ndjekjen e procesit të digjitalizimit, i cili nuk është funksional që prej shtatorit 2017.
Bordi i AMA-s vlerësoi se shtyrja e afatit me 4 javë nga njëra anë do t’u krijojë mundësi qytetarëve të marrin masat e nevojshme në mënyrë që të përfitojnë shërbimin audioviziv dhe nga ana tjetër operatorëve u jepet mundësia të realizojnë një shërbim më të mirë ndaj qytetarëve.
AMA kërkon mirëkuptimin e qytetarëve tashmë të pajisur me dekodera si dhe të operatorëve audiovizivë të cilët kanë përfunduar implementimin e infrastrukturës digjitale dhe kanë dalë me oferta për qytetarët, dhe në veçanti Operatorit Publik Shqiptar, lidhur me këtë vendim.
Së fundmi, i bëjmë thirrje qytetarëve të pajisen me dekodera në mënyrë që të përfitojnë shërbimet audiovizive digjitale.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
29 Gusht 2019