E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

AMA në takim konsultativ me operatorët analogë privatë vendorë për diskutimin e tarifës së mbështetjes në rrjetin numerik të RTSH-së

AMA në takim konsultativ me operatorët analogë privatë vendorë për diskutimin e tarifës së mbështetjes në rrjetin numerik të RTSH-së

Ditën e premte, më datë 19 shkurt Kryetari i AMA-s, Z. Gentian Sala, Zëvendëskryetari Z. Sami Nezaj, Drejtori i Kabinetit Z. Dritan Xhelili si dhe Drejtori Teknik i Radio Televizionit Shqiptar Z. Ermir Agaçi pritën në një takim konsultativ, të organizuar nga AMA, operatorët privatë vendorë, për të diskutuar mbi tarifën që këtyre operatorëve do t’i duhet të paguajnë për mbështetjen e programeve të tyre në rrjetin numerik të televizionit publik.

 Kryetari i AMA-s i njohu operatorët me vendimin që ka marrë operatori publik për tarifën që operatorët do të duhet të paguajnë në muaj, rrjetit të televizionit publik. Ai theksoi se për AMA-n është shumë e rëndësishme zëri i operatorëve dhe marrja e mendimit të tyre për këtë tarifë që rrjeti publik propozon.

 Tarifa e propozuar nga RTSH konsideron vetëm zërat financiar që lidhen me mirëmbajtjen e rrjetit numerik duke mos përfshirë kostot e ndërtimit të rrjetit. Gjatë takimit u diskutua edhe propozimi i RTSh-së mbi diferencimin e tarifave për allotmente të ndryshme, ku për allotmentin e Tiranës do të aplikohet dyfishi i tarifës, për zonat bregdetare dhe Korçës do të aplikohet 1.5 e tarifës dhe për zonat e tjera 0.5 e tarifës së propozuar.

Z. Agaçi theksoi se RTSH-ja do të dalë me transmetimet numerike on air duke filluar nga muaji prill në allotmentin e Tiranës. Ai gjithashtu, deklaroi se RTSH është garanti për cilësinë dhe ecurinë e transmetimeve DVB-T2 të cilat sigurohen nga rrjeti tërësisht i ri.

 Nga ana e tyre operatorët shprehën shqetësim për tarifën mujore të propozuar nga RTSH dhe kërkuan ndihmën e AMA-s për të negociuar mbi vlerën e tarifës. Ata propozuan gjithashtu edhe një periudhë dy vjeçare subvencioni nga ana e shtetit për këtë tarifë.

Z. Sala, i siguroi operatorët që AMA, mbas vlerësimit të zërave financiarë dhe metodologjisë së përllogaritjes së tarifës të mbështetjes, që RTSH-ja ka propozuar, do të shprehet së shpejti në lidhje me miratimin e tarifës.

 Nga të gjitha palët takimi i mbajtur sot u cilësua si i domosdoshëm dhe tejet i rëndësishëm për procesin.

 Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë më, 19.02.2016

Perpara AMA në takim konsultativ për ndërgjegjësimin dhe zbatimin e të drejtës së autorit
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara