Autoriteti i Mediave Audiovizive në kuadrin e ndërtimit të një marrëdhënie bashkëpunimi me gazetarët, median dhe gjithë tregun audioviziv në Shqipëri
Autoriteti i Mediave Audiovizive në kuadrin e ndërtimit të një marrëdhënie bashkëpunimi me gazetarët, median dhe gjithë tregun audioviziv në Shqipëri me qëllim zhvillimin e një medie të pavarur, pluraliste dhe profesionale , së bashku me Këshillin e Medias nënshkruan të enjten marrëveshjen e bashkëpunimit midis tyre. Kjo marrëveshje është në funksion të ndërtimit të urave lidhëse midis këtyre dy organizmave dhe ka si synim final pluralizmin e medias, demokracinë e saj dhe ruajtjen e standardit të mediave audiovizive informative, kulturore dhe promovuese të vlerave.
Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive Z. Gentian Sala dhe Kryetari i Shoqatës “Këshilli i Medias”, Z. Koloreto Cukali nënshkruan marrëveshjen e pare midis tyre. Kjo marrëveshje do të thjeshtojë shkëmbimin e informacionit mes palëve, do t’i hapë rrugë publikimeve si edhe do të forcojë rolin e gazetarit në tregun e sotëm audioviziv.
Kjo marrëveshje është në funksion të njohjes së veprimtarisë së AMA-s dhe për qëllime studimore, shkëmbimin e informacionit dhe të publikimeve mes palëve si dhe bashkëpunimin, për çështje të etikës, vlerësimit dhe analizës së përmbajtjeve të transmetuara etj.
Këshilli i Medias është një organizim i pavarur i gazetarëve shqiptarë që ka si qëllim rritjen e standarditprofesional të gazetarisë përmes nxitjes së respektimit të Kodit të Etikës së Medias nga organizatat e shtypit, medias audiovizive dhe atyre të internetit në vend.
Z. Sala theksoi se të gjithë e dimë, që media dhe në veçanti televizioni është një ndër faktorët kryesore që ndikon në formimin e qytetarit. Ndaj bie dyfish përgjegjësia ndaj organizmave për të ndërtuar një media ku të respektohen parimet e etikës, liria e shprehjes, si edhe pluralizmit.
Në këtë aktivitet ishin pjesëmarrës themeluesit e Këshillit të Medias, përfaqësues nga Autoriteti i Mediave Audiovizive si dhe gazetarë të mirënjohur të cilët kanë interes në fushën e mediave dhe gazetarisë.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, më 15. 10. 2015