“Një fjali në studio?” – Arcom gjobit televizionin C8 për transmetimin e akuzave të pabazuara

Në ciklin “Një fjali në studio?”, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) sjell rastin e televizionit francez C8, të gjobitur me 500 mijë euro pas transmetimit të akuzave të rënda ndaj disa figurave publike në një emision të drejtpërdrejtë. Légifrance

Gjatë emisionit të 9 marsit 2023, një i ftuar hodhi akuza për trafik droge dhe abuzim me fëmijë, si dhe përsëriti një teori konspirative. Këshilli i Shtetit i Francës i cilësoi deklaratat haptazi të pavërteta, të pambështetura në fakte dhe të afta të dëmtonin rëndë reputacionin e personave të përmendur.

Moderatori përsëriti se përgjegjësia për deklaratat i takonte të ftuarit. I njëjti paralajmërim u shfaq pesë herë në ekran. Sipas gjykatës, megjithëse disa pretendime u vunë në dyshim, moderatori dhe panelistët e nxitën disa herë të ftuarin të vazhdonte, ndërsa dy panelistë i dhanë besueshmëri teorisë konspirative. Gjykata e vlerësoi të pamjaftueshëm reagimin e mëvonshëm të C8 në rrjetet sociale dhe të vonuar sqarimin e transmetuar katër ditë pas emisionit.

Arcom-i, rregullatori francez i medias, e gjobiti C8 për cenimin e të drejtave të personave të përmendur, duke marrë parasysh edhe mënyrën se si televizioni e menaxhoi transmetimin. C8 e kundërshtoi gjobën, por më 10 korrik 2024 Këshilli i Shtetit, gjykata më e lartë administrative e Francës, e la atë në fuqi. Gjykata vlerësoi se sanksioni nuk përbënte kufizim joproporcional të lirisë së shprehjes, të mbrojtur nga neni 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Përmes këtij cikli, AMA sjell raste nga vende me traditë të konsoliduar të lirisë së medias, për të nxitur reflektimin mbi përgjegjësinë editoriale gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta, në dritën e rasteve të fundit në disa televizione shqiptare.

Perpara “Një fjali në studio” – Pse u gjobit televizioni rumun Antena 1?

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2026 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara