AMA mbyll serverin e paautorizuar të “cardsharing”, i cili mundësonte qasje të paligjshme në kanalet e koduara

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka identifikuar dhe dokumentuar teknikisht një server të paautorizuar të skemës së “cardsharing”, i cili mundësonte qasje të paligjshme në transmetimet e koduara të operatorëve televizivë DigitAlb, Tring dhe RTSH. Infrastruktura e shërbimit ishte e vendosur pranë kompanisë pritëse të serverëve, Hetzner Online GmbH, me seli në Gjermani.

Pas identifikimit të aktivitetit dhe mbledhjes së provave teknike, AMA i ka dërguar një njoftim zyrtar kompanisë pritëse, duke paraqitur edhe dokumentacionin përkatës. Pas këtij njoftimi, shërbimi i paautorizuar është mbyllur.

 “Cardsharing” është një metodë piraterie televizive përmes së cilës të dhënat e një abonimi të rregullt dhe kodet e kartës së aksesit shpërndahen nëpërmjet internetit te një numër i madh dekoderësh. Në këtë mënyrë, përdorues të shumtë mund të kenë akses në kanale televizive të koduara pa pasur një abonim individual për to.

AMA deklaron se do të vijojë luftën kundër piraterisë televizive në të gjitha format e saj, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin me ofrues ndërkombëtarë të infrastrukturës digjitale.

Autoriteti thekson se bashkëpunimi me kompanitë ndërkombëtare të hosting-ut është një element i rëndësishëm në identifikimin dhe ndërprerjen e shërbimeve të paligjshme që cenojnë transmetimet e mbrojtura.

Perpara Sa kohë kalojnë adoleshentët para ekranit dhe si ndikojnë rrjetet sociale në mirëqenien e tyre?

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2026 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara

Mirembahet nga INSTANT.AL