E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Dita e parë e mbledhjes së 63 të EPRA-s, Krasniqi: Po bashkëpunojmë me OSHMA-të për qasjen e PAK në shërbimet mediatike audiovizive

Në sesionin e dytë të ditës së parë të Mbledhjes së 63-të të Platformës Europiane të Autoriteteve Rregullatore (EPRA), në fokus të diskutimeve ishte tema “Vendosja e përmbajtjeve në dispozicion për të gjitha audiencat”.

Në panelin e parë diskutuan Daniel Casas, oficer i lartë për politikat e aksesueshmërisë në Forumin Europian të Personave me Aftësi të Kufizuar, Elisabet Ventura, drejtuese e shërbimeve publike, qëllimit social dhe udhëzimeve etike në 3Cat, si dhe Peter Matzneller, menaxher i marrëdhënieve globale në Netflix.

Në panelin e dytë, ku morën pjesë Kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi, Stephen Taylor, drejtor për standardet dhe mbrojtjen e audiencës në Ofcom, Marcel Betzel, këshilltar për politikat ndërkombëtare në CvdM, si dhe Frédéric Bokobza, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në Arcom në Francë, diskutimet u përqendruan në strategjitë për të kapërcyer pengesat e aksesueshmërisë në media.

Kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi, theksoi se rritja e qasjes për personat me aftësi të kufizuar përbën një të drejtë themelore të njeriut, të sanksionuar në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar.

Sipas saj, qasja në televizionin linear dhe në përmbajtjet online është thelbësore për të mundësuar pjesëmarrjen e plotë në jetën shoqërore, kulturore dhe në debatin publik.

Kryetarja e AMA-s bëri me dije se Autoriteti është në komunikim të vazhdueshëm me OSHMA-të e autorizuara/licencuara, me qëllim garantimin e zbatimit të detyrimeve të parashikuara në ligjin organik për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe rritjen e aksesit të tyre në shërbimet audiovizive.

“Në aspektin praktik, OSHMA-të po punojnë për të siguruar që shërbimet e tyre online të jenë të aksesueshme përmes zbatimit të standardeve ndërkombëtare, si WCAG 2.1, në funksion të përfshirjes dhe aksesit për të gjitha audiencat”, u shpreh Krasniqi.

Perpara AMA sjell në Tiranë Platformën Europiane të Rrjeteve Rregullatore, 42 shtete pjesëmarrës diskutojnë sfidat e tregut mediatik

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara