Pas përfundimit me sukses të fushatës së edukimit mediatik “Kopetencë mediatike për moshat parashkollore”, të zhvilluar në kopshtet e Tiranës urbane, me iniciativë të Këshillit të Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), ka nisur një fushatë të re me shtrirje kombëtare, këtë herë të fokusuar te nxënësit e arsimit parauniversitar.
Sot, Kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi dhe Kryetarja e Këshillit të Ankesave Znj. Mirela Oktrova, bashkëbiseduan me nxënës të gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan. Në praninë e mësuesve dhe përfaqësuesve të prindërve u diskutua mbi sfidat e përdorimit të medias nga të rinjtë, rreziqet e dezinformimit, mbrojtjen e privatësisë online dhe rëndësinë e mendimit kritik në epokën digjitale.
Bashkëbisedimi u mbështet me materiale sensibilizuese dhe video didaktike, të përgatitura në kuadër të projektit “Kompetencë Mediatike për Moshat Shkollore”.
Znj. Krasniqi theksoi rëndësinë e të menduarit kritik dhe edukimit mediatik si elemente thelbësore për të qenë të sigurt në botën virtuale, përballë fenomeneve si gjuha e urrejtjes, keqpërdorimi i të dhënave personale, dhuna online, përmbajtjet e dëmshme dhe format e ndryshme të abuzimit në internet.
Ajo nënvizoi se edukimi mediatik nuk shërben vetëm si një mekanizëm mbrojtës për fëmijët dhe të rinjtë, por edhe për çdo përdorues të përditshëm të internetit, në një realitet ku teknologjia ka ndryshuar mënyrën e komunikimit dhe të jetesës.
Fushata do të ketë shtrirje në 12 qarqet e vendit përgjatë vitit 2026. Ndalesa e radhës do të jetë në gjimnazin “Hydajet Lezha” në qytetin e Lezhës, ku fushata në bashkëpunim me strukturat arsimore do të vijojë me të njëjtin format ndërveprues dhe ndërgjegjësues.











