Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Znj. Armela Krasniqi, zhvilloi një takim pune me Avokatin e Popullit, Z. Endrit Shabani, ku në fokus ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit institucional.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi zgjerimin e bashkëpunimit dhe mundësinë e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen e afërt, me synim rritjen e efektivitetit në adresimin e çështjeve me interes publik.
Një nga pikat kyçe të bashkëpunimit mes AMA-s dhe institucionit të Avokatit të Popullit mbetet nisma “Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes”, e realizuar në partneritet edhe me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Këshillin Shqiptar të Medias. Kjo nismë synon të luftojë gjuhën e urrejtjes përmes ndërgjegjësimit, informimit dhe nxitjes së diskutimit në nivel kombëtar.
Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e krijimit të urave të dialogut dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe institucionet publike, për të adresuar në mënyrë të qëndrueshme këtë fenomen.
Në përfundim të takimit, Znj. Armela Krasniqi dhe Z. Endrit Shabani ranë dakord për organizimin e tryezave të reja të përbashkëta, të cilat do të fokusohen në ndërgjegjësimin mbi pasojat e gjuhës së urrejtjes, ndikimin e saj në zhvillimin demokratik të vendit dhe reduktimin e saj në shoqërinë shqiptare.


