Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), znj. Armela Krasniqi, mori pjesë në Konferencën Globale mbi Qeverisjen e Platformave Digjitale 2026, organizuar nga UNESCO në Pretoria, Afrika e Jugut. Znj. Krasniqi kryesoi delegacionin shqiptar, e shoqëruar nga Sekretarja e Përgjithshme e AMA-s, Znj. Ronelda Rapollari, dhe Drejtor i Kabinetit, Znj. Alida Cenaj.
Në sesionin e parë të konferencës, të dedikuar rregullimit të platformave digjitale, kryetarja e AMA-s ishte e ftuar të ndante eksperiencën shqiptare mbi zbatimin e mekanizmave të raportimit të përmbajtjeve të dëmshme në Platformat e Shpërndarjes së Videove. Në fjalën e saj, Znj. Krasniqi theksoi sfidat me të cilat përballen vende si Shqipëria, ku strukturat e mbikëqyrjes janë ende në zhvillim, duke nënvizuar rëndësinë e ndërtimit të kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Dua të ndaj me ju eksperiencën që ne në AMA kemi krijuar me bashkëpunimet e lidhura me TikTok dhe X. Rezultatet shumë të mira që kemi arritur nga këto bashkëpunime na kanë treguar se, besimit i publikut tek ne, kapacitetet e forta teknike dhe profesionale, veprimi shpejt dhe i bazuar në ligj, janë formula e saktë për pikënisjen e rregullimit të këtij realiteti të ri mediatik.”- theksoi Krasniqi.
Konferenca e organizuar nga UNESCO shënoi mbledhjen e dytë vjetore të Forumit Global të Rrjeteve (GFN). Znj. Armela Krasniqi është bashkëfirmosëse themeluese e këtij forumi, në cilësinë e Presidentes së Rrjetit Mesdhetar të Rregullatorëve (MNRA), që nga themelimi i tij në vitin 2024 në Dubrovnik, Kroaci.
Takimi në Pretoria përfaqëson një hap konkret në zbatimin e Udhërrëfyesit për Veprim 2024–2026 të GFN-së dhe në forcimin e bashkëpunimit global për qeverisjen e platformave digjitale.







