Prishtina është vendi pritës i Asamblesë së 24-të Plenare të Rrjetit Mesdhetar të Enteve Rregullatore të Mediave, MNRA. Komisioni i Pavarur i Mediave të Kosovës, KPM, përveçse enti organizator ka marrë sot edhe Presidencën e radhës së MNRA-së.
Pas fjalës përshëndetëse të Kryetarit të KPM-së, Z. Besnik Berisha dhe dorëzimit të Presidencës nga homologu i tij armen, z. Tigran Hakobyan, takimi ka nisur me panelin hapës me temë, “Mbrojtja e fëmijëve në mjedisin online dhe audioviziv”.
Në këtë panel, kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi ka qenë bashkë me Z. Frederic Bokobza, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i rregullatorit francez, ARCOM, Znj. Joana Duarte, Drejtoreshë e Departamentit të Mbikëqyrjes në autoritetin portugez, ERC, Z. Francesco Di Giorgi, Zyrtar i Lartë Ligjor pranë rregullatorit italian AGCOM dhe Znj. Klevis Vaqari, psikologe nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë.
Në prezantimin e saj Znj. Krasniqi ka theksuar rëndësinë jetike të mbrojtjes së fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme, si një dimension thelbësor i misionit rregullator. Ajo ka shpjeguar për të pranishmit qasjen gjithëpërfshirëse të AMA-s në këtë proces, me kuadrin ligjor, përputhjen me legjislacionin europian, rolin e Këshillit të Ankesave, rezultatet e monitorimit në këtë drejtim dhe nismat për edukimin mediatik të fëmijëve, prindërve dhe mësuesve.
Një tjetër pikë e rëndësishme, sipas Krasniqit është bashkëpunimi me Platformat e Mëdha Online si një hallkë e domosdoshme në realizimin me sukses të punës rregullatore.
Ky panel përcolli perspektiva të çmuara nga vende të ndryshme, duke konfirmuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të rregullatorëve në ndërtimin e një mjedisi të sigurt dixhital për fëmijët, përmes bashkëpunimit rajonal dhe qasjes gjithëpërfshirëse.