E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Forumi i 12-të i BRAF në Shqipëri: Drejtues të rregullatorëve, vende anëtare dhe përfaqësues të lartë të BSEC mblidhen në Vlorë

Autoriteti i Mediave Audiovizive organizon në qytetin e Vlorës Forumin e 12-të të Autoriteteve Rregullatore të Transmetimeve të Detit të Zi (BRAF). Përfaqësues të 9 shteteve – Shqipërisë, Turqisë, Azerbajxhanit, Greqisë, Serbisë, Armenisë, Bullgarisë, Moldavisë dhe Gjeorgjisë – në cilësinë e vendeve anëtare të BRAF-it, si dhe përfaqësues të lartë të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC), mbërritën sot në Vlorë, ku ka nisur punimet dita e parë e mbledhjes vjetore të këtij rrjeti.

Tema kryesore që do të diskutohet në takimin dyditor është: “Gjuha e urrejtjes në median audiovizive dhe online dhe e drejta për informim”, si një nga problematikat më të mprehta që vihet re sot, kryesisht në platformat online.

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, znj. Armela Krasniqi, në fjalën e hapjes së këtij takimi, ka vënë theksin te rëndësia që duhet t’i kushtohet gjuhës së urrejtjes:
“Është një sfidë e rëndësishme me të cilën përballet jo vetëm tregu mediatik, por edhe entet rregullatore,”– tha ajo.

“Deri një dekadë më parë, askush nuk do ta kishte parashikuar që teknologjia dhe shërbimet online, rrjetet sociale dhe platformat e shpërndarjes së videove, i gjithë komunikimi në vetvete si proces, do të kishin përmasat që kanë sot. Për këto arsye, sot më shumë se kurrë, duhet folur dhe punuar për forcimin e luftës kundër gjuhës së urrejtjes dhe pasojave të saj, dhe për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut,” – tha kryetarja e AMA-s.

Sipas znj. Krasniqi, sfidat me të cilat përballet ky sektor janë globale, pavarësisht përvijimeve lokale. Ndaj ajo e gjykoi shumë të rëndësishëm bashkëpunimin, shkëmbimin e eksperiencave, si dhe ndërveprimin e përhershëm dhe të vazhdueshëm mes rregullatorëve.

“Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në rregullimin e tregut mediatik audioviziv, dhe ndërkohë që ne vazhdojmë të integrojmë median audiovizive digjitale në sistemet tona rregullatore, arritja e ekuilibrit të duhur midis lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes nga fenomene si gjuha e urrejtjes mbetet ende një sfidë e vështirë për t’u përballuar.
Por natyrisht, situata të tilla të ngjashme hasen në çdo vend, pavarësisht numrit të banorëve, shumësisë së mediave apo përdoruesve. Teknologjia në vetvete është sfiduese. Kjo situatë ka nxitur Komisionin Europian të ndërmarrë nisma ligjore, zbatimi i të cilave ndihmon në përballimin me sukses të këtyre sfidave. AMA, pas transpozimit të plotë të AVMSD, po punon për përshtatjet e reja ligjore në përputhje me Aktin Europian për Lirinë e Medias dhe Aktin e Shërbimeve Digjitale,” – vijoi znj. Krasniqi. 

Sipas saj, ky proces nuk është i thjeshtë, por është e rëndësishme që Shqipëria po ecën në hap me vendet e tjera.

Aktivitetin e përshëndeti edhe Zv.Sekretarja e Parë e Përgjithshme e Sekretariatit të Përhershëm të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, BSEC PERMIS, Shkëlqesia e Saj, Amb. Dr. Merve Safa Kavakcı. Ajo falënderoi Shqipërinë dhe Sekretariatin e BRAF për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në transmetimet audiovizive.
Znj. Kavakcı vuri në dukje qëndrueshmërinë e BSEC dhe projekte të rëndësishme si Agjenda Ekonomike, “Blue Port Index” dhe sistemi digjital PERMIT. Bashkëpunimi me BE-në dhe projekti “Blueing the Black Sea” synojnë të nxisin zhvillimin, inovacionin mjedisor dhe qëndrueshmërinë rajonale. Në përfundim, ajo garantoi mbështetjen e BSEC për BRAF.

Ndërsa Sekretarja e Përgjithshme e BRAF-it, Dr. Deniz Güçer, pasi falënderoi Autoritetin Shqiptar të Mediave Audiovizive dhe znj. Krasniqi për mikpritjen dhe kontributin, u shpreh se tema që po diskutohet në këtë takim vjetor të BRAF-it, pra gjuha e urrejtjes, e cila po përhapet përmes platformave digjitale, po nxit polarizim dhe po dëmton besimin publik.
“Ky fenomen nuk është vetëm një çështje mediatike, por një kërcënim shoqëror që cenon dinjitetin njerëzor dhe stabilitetin. Si rregullatorë, ne kemi detyrën të ruajmë balancën midis lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Kjo kërkon bashkëpunim, qartësi dhe vendosmëri. Gjatë konferencës, do të shqyrtojmë rolin e mediave sociale, inteligjencës artificiale dhe edukimit mediatik në formësimin e debatit publik,” – u shpreh Dr. Deniz Güçer.

Më tej, agjenda e ditës së parë të Forumit të 12-të të BRAF-it ka vijuar me prezantimet e raporteve të vendeve pjesëmarrëse.

Sekretarja e Përgjithshme e Autoritetit të Mediave Audiovizive, znj. Ronelda Rrapollari, bëri një prezantim të punës së AMA-s, duke u përqendruar kryesisht në ndryshimet ligjore dhe transpozimin e Direktivës Europiane, bashkëpunimet e lidhura me platformat online, si dhe punën e nisur tashmë nga AMA për transpozimin e Aktit Europian të Lirisë së Medias (EMFA) dhe Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA).

Në ditën e parë të këtij takimi diskutuan gjithashtu z. Hashim Alimammadzade nga rregullatori i Azerbajxhanit, znj. Teodora Papadaki, eksperte nga NCRTV e Greqisë, si dhe drejtues të enteve rregullatore nga Bullgaria, Serbia, Moldavia, Gjeorgjia, Turqia dhe Armenia.

Perpara Forumi i 12 i BRAF organizohet në Shqipëri. Krasniqi pret në AMA delegacionet e para
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara