Lajmi për abuzimin seksual të një të miture brenda familjes, tërhoqi vëmendjen e thuajse të gjitha mediave audiovizive, të cilat i kushtuan kohë televizive si dinamikës dhe parahistorisë së ngjarjes ashtu edhe domosdoshmërisë së ofrimit të ndihmës dhe mbështetjes së specializuar për viktimat e kësaj kategorie.
Ndjeshmëria e lartë shoqërore për ngjarjen, ndonëse përbën motiv të mjaftueshëm trajtimi për profesionistët e medias në përgjithësi dhe asaj audiovizive në veçanti, nuk mund të zbehë dhe aq më pak të anashkalojë përgjegjësinë, që media ka dhe domosdoshmërisht duhet të shfaqë në mënyrën e adresimit të çështjes, qasjen ndaj viktimës dhe të prekurve të tjerë si edhe në analizën apo përfundimet, që nxjerr për shoqërinë.
Nga verifikimi i mbulimit mediatik të ngjarjes, në kuadrin e të cilit u monitoruan 16 OSHMA, Autoriteti i Mediave Audiovizive konstatoi, se ndonëse standardi i pasqyrimit të saj në mediat audiovizive u karakterizua përgjithësisht nga profesionalizmi dhe kujdesi për mbrojtjen e viktimës, nga subjekti në subjekt, mënyrat konkrete të trajtimit mund të klasifikohen si: tërësisht korrekte, pjesërisht korrekte ose në shmangie të parimeve etike, të parashikuara nga ligji dhe aktet nënligjore në fuqi.
Mbulimi tërësisht korrekt, (4 raste) u karakterizua nga mbrojtja strikte e të dhënave personale të të miturës, shmangia e të dhënave rrethanore, që mund të çonin në identifikimin e saj të tërthortë si edhe nga qasja e kujdesshme, informuese larg sensacionit. Në trajtimet pjesërisht korrekte (3 raste), ndonëse u shmang publikimi i gjeneraliteteve të viktimës dhe u përdor teknikë mbulimi në intervista, u publikuan pamje të shtëpisë dhe të dhëna rreth vendbanimit, duke mundësuar identifikimin e tërthortë të së miturës. Shkeljet më flagrante të etikës (9 raste) – konstatuar si në informimin e drejtpërdrejtë gjatë edicioneve të lajmeve, ashtu edhe në emisionet pasuese – lidheshin me publikimin e gjeneraliteteve të të akuzuarit dhe nënës së viktimës së dyshuar, elementëve të panevojshëm identifikues të dëshmive, pamjeve të shtëpisë (jashtë) dhe banesës (brenda) së viktimës, me intervistimin e nënës së saj, në kushte emocionale të rënduara dhe publikimin e saj pa teknikë mbulimi.
Për sa më sipër, Autoriteti i Mediave Audiovizive tërhoqi vëmendjen (në 9 raste) për shkeljet e dispozitave të mësipërme, kërkoi ndalimin e çdo ritransmetimi të materialeve në fjalë si edhe fshirjen e tyre nga llogaritë përkatëse në YouTube dhe çdo prani tjetër online, duke rikujtuar se përsëritja e shkeljeve penalizohet sipas dispozitave ligjore në fuqi. Për trajtimet pjesërisht korrekte (3 raste), Autoriteti u solli në vëmendje OSHMA-ve, se përpjekjeve për respektimin e standardeve etike të transmetimit u kishte shpëtuar publikimi i të dhënave rrethanore, që gjithashtu çon në identifikimin e tërthortë të viktimës.
Paralelisht komunikimit administrative me OSHMA-të, nisur nga fakti, se si burim i parë i të dhënave rrethanore dhe shoqërore, që zbulonin identitetin e të prekurve të abuzimin e dyshuar seksual të një të miture brenda familjes, shërbeu njoftimi i Policisë së Shtetit, në kuadrin e “Sistemit të integruar të mbrojtjes” dhe “Interesit më të lartë të fëmijës” që sugjeron ligji “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, kreu i Autoritetit të Mediave Audiovizive ju drejtua edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për t’i sjellë në vëmendje detyrimin mbarëshoqëror “për të mbrojtur në të gjitha situatat privatësinë e fëmijës”.
Përtej komunikimit rast pas rasti, Autoriteti, në kuadrin e angazhimit të vet të vazhdueshëm në emër të interesit më të lartë të fëmijës, e sheh të nevojshme t’ju drejtohet profesionistëve të medias edhe me një thirrje sensibilizuese, për profesionalizëm, ndjeshmëri dhe masa vetërregulluese më efektive, përputhur me detyrimet e rrjedhura prej ligjit 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Kodit të Transmetimit dhe akteve të tjera nënligjore në fuqi.
Të nderuar kolegë!
Shmangni raportimet me identifikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të fëmijës, së përfshirë në një ngjarje të rëndë!
Respektoni të drejtën e gjithkujt për të refuzuar intervistimin!
Shmangni pyetjet ose komentet, që dëmtojnë fëmijën ose që risjellin ndërmend ngjarjet e rënda për të!
Mos i shfrytëzoni ngjarjet në këndvështrim sensacional, duke shpërfillur vuajtjen dhimbjen, ndjenjat dhe dinjitetin e të prekurve!
Vini theksin te rëndësia e masave ligjore, përgjegjësisë së komunitetit dhe ndihmës profesionale për viktimat!
Autoriteti i Mediave Audiovizive u bën thirrje të gjitha palëve, për më shumë angazhim dhe bashkëpunim në kuadrin e sistemit të integruar të mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijës, duke shprehur besimin, se si OSHMA-të ashtu edhe institucionet do të arrijnë të ndahen nga praktikat shmangëse të të menduarit dhe vepruarit në këtë kuadër,
Vetë Autoriteti do të vijojë ta mbajë situatën nën vëzhgim, duke shqyrtuar çdo rast të mosrespektimit të kërkesave ligjore, duke ua adresuar ato redaksive përkatëse dhe duke reaguar përputhur legjislacionit në fuqi.
Autoriteti i Mediave Audiovizive