E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Krasniqi në Forumin Global të Rrjeteve, organizuar nga UNESCO: Të vendosur në luftën kundër Dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes. Edukimi Mediatik zgjidhja më e qëndrueshme dhe afatgjatë

Në cilësinë e Presidentes së Rrjetit Mesdhetar të Enteve Rregullatore, MNRA, dhe si Kryetare e AMA-s, znj. Armela Krasniqi ka marrë pjesë në “Forumin Global të Rrjeteve”, organizuar për herë të parë nga UNESCO, mbi Qeverisjen e Platformave Online.
Me më shumë se 200 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Botës, në këtë konferencë të zhvilluar në Dubrovnik të Kroacisë, ishin të pranishëm drejtues të lartë të UNESCO-s, kreu i rregullatorëve të BE, Giacomo Lasorella, Zv/Presidenti i rregullatorëve të Europës, Stanislav Matejka, Presidentja e rregullatorëve të Afrikës, Latifa Akharbach, Zv/Presidenti i rregullatorëve frankofonë, Denis Rapone, Sekretarja Ekzekutive e rregullatorëve Iberikë, Mònica Duran Ruiz, Drejtorja e rregullatorëve të Sigurisë Online, Camilla Bustani etj. Pas miratimit të Udhëzimeve të UNESCO-s, kjo konferencë u zhvillua me objektiv krijimin e Forumit Global të Rrjeteve, si një komunitet që ka për qëllim të bashkojë entet ndërkombëtare të mediave audiovizive elektronike dhe rregullatorëve në luftën kundër dezinformimit, gjuhës së urrejtjes dhe edukimit mediatik.  
Në fillim të konferencës, znj. Krasniqi ka qenë pjesë e Tryezës, “Ndërtimi i besimit në media në vendet e Europës Juglindore”, ku merrnin pjesë zyrtarët më të lartë të UNESCO-s dhe përfaqësues të rregullatorëve të vendeve të Europës Juglindore.
Gjatë takimit, kryetarja Krasniqi u ka prezantuar të pranishmëve hapat e hedhur nga AMA drejt përmirësimit të kuadrit ligjor dhe nënligjor, në harmonizim të plotë me Direktivat dhe Rekomandime të BE-së, për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirinë e shprehjes, luftën ndaj dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes. “Kemi hedhur hapa shumë të rëndësishëm ligjor edhe në drejtim të plotësimit të legjislacionit shqiptar, bazuar në modelet më të mira Europiane, mbi transparendën e strukturës së pronësisë së mediave audiovizive”, ka thënë ajo, duke ju referuar Rregullores së miratuar në muajin Prill, që trajton në mënyrë të posaçme transparencën në strukturën pronësore dhe deklarimin e të dhënave të tjera të lidhura me licencën/autorizimin prej OSHMA-ve.
Gjatë Tryezës janë diskutuar gjithashtu fenomene aktuale që kërcënojnë shoqëritë demokratike, që mund të nxisin konflikte, që pengojnë proceset e ndërtimit të paqes dhe minojnë të drejtën e njerëzve për të pasur akses në informacion të verifikuar, që është i nevojshëm për cilësinë e debatit publik kolektiv. “Është momenti ynë si rregullator dhe si rrjete, që në bashkëpunim me platformat digjitale të bashkojmë përvojën, ekspertizën dhe dakordësinë për vendimet e mëtejshme që do të merren për një të ardhme ku hapësira digjitale të jetë e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese e të gjitha komuniteteve pa dallim”.
Një tjetër moment i rëndësishëm i konferencës ka qenë edhe paneli i zhvilluar nën drejtimin e As/Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s, Prof. Tawfik Jelassi, me 7 krerët e Rrjeteve Regullatore të Medias në nivel botëror (ERGA, EPRA, MNRA, ACRAN, GOSRN, PRAI, REFRAM), ku u diskutuan Udhëzimet e nxjerra nga UNESCO dhe zbatimi i tyre nga vendet anëtare të strukturave rregullatore. Këto udhëzime përcaktojnë një sërë detyrash, përgjegjësish dhe rolesh për shtetet, platformat digjitale, organizatat, shoqërinë civile, median, komunitetet akademike dhe teknike dhe palë të tjera të interesuara për të krijuar një mjedis ku liria e shprehjes, e drejta për informacion, lufta kundër gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit duhet të jenë në thelb të qeverisjes së platformave online.
Në cilësinë e Presidentes së MNRA, në emër të këtij rrjeti, znj. Krasniqi ka theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar për krijimin e një mjedisi të shëndetshëm digjital për të gjithë. Gjithashtu në përgjigje të pyetjes mbi formulën e një qeverisje efektive dhe një përfaqësimi më të mirë të komuniteteve, ajo ndau si të rëndësishme, kryerjen si fillim, të analizës së gjendjes aktuale, përmes studimeve dhe kërkimeve të përbashkëta. “Do të theksoja në këtë pikë, një realitet të pranuar nga të gjithë tashmë: Mungesën e qasjes në burime të besueshme të Komuniteteve të cënueshme, të cilat shpesh kanë më pak mundësi për shumëllojshmëri burimesh informacioni, çka i ekspozon ata para Dezinformimit”, ka thënë ajo. “Shpesh është edhe kufizimi gjuhësor dhe kulturor i Komuniteteve të margjinalizuara, që i vendos gjithashtu përballë moskuptimit të së vërtetës apo mosverifikimit të menjëhershëm të informacionit të saktë. Të tilla problematika janë të shfaqura tashmë, mund të diskutohen dhe kërkojnë Vendimmarrje”.
Në një tjetër pjesëmarrje e rëndësishme gjatë kësaj konference ka qenë edhe paneli i diskutimit mbi Platformat e Ndarjes së Videove, ku merrnin pjesë përfaqësues nga META, TIK-TOK e Google. Në cilësinë e Presidentes së MNRA, znj. Krasniqi ka ngritur shqetësimin e disa prej rregullatorëve në lidhje me këto platforma, për mungesën e një dialogu për problematikat që shfaqen në to; për bashkëbisedimin e domosdoshëm që platformat duhet të kenë me rregullatorët; për transparencën e algoritmeve dhe forcimin e kodeve dhe rregullave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes.
Konferenca globale, e organizuar nga UNESCO, solli edhe një herë në vëmendjen e të gjithëve një realitet të pranuar tashmë në fushën e komunikimeve mediatike: Format dhe rrugët e reja të komunikimit, të shtuara dhe të transformuara nga zhvillimi i teknologjisë, e kanë vënë tregun mediatik përballë kushtesh të reja përshtatjeje dhe nevojës për hartimin e strategjive shtesë, siç e dikton tregu. Platformat digjitale shpesh përdoren për të shpërndarë informacion të rremë, i cili mund të ketë pasoja të rënda për shoqëritë tona. Për këtë arsye Udhëzimet e UNESCO-s, theksojnë nevojën për të luftuar dezinformimin duke promovuar qasjen në informacion të saktë dhe të besueshëm. Gjithashtu theksohet nevoja për transparencë, drejtësi, për zhvillim dhe përdorim etik të inteligjencës artificiale (AI) dhe algoritmeve. Propozimi i UNESCO-s për krijimin e një Rrjeti të Përbashkët Global me qëllim bashkimin e të gjithë faktorëve, ente rregullatore dhe platforma online, në luftën kundër dezinformimit, gjuhës së urrejtjes dhe edukimit mediatik, është mirëpritur nga të gjithë të pranishmit.
 
Perpara Njoftim shpallje për vend të lirë pune, Përgjegjës në Sektorin e Kodifikimit dhe Vlerësimit të Aplikimeve, Drejtoria Ligjore

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara