Autoriteti i Mediave Audiovizive zhvilloi një takim pune mbi hapat e implementimit të Direktivës AVMS dhe lirimin e Brezit Frekuencor 700 MHz. Në këtë tryezë morën pjesë drejtues të autoriteteve nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Implementimi i Direktivës është një proces në të cilin Shqipëria është e angazhuar në kuadër të Integrimit Europian. E tillë është nevoja për të përmirësuar kuadrin kombëtar ligjor dhe nënligjor në fushën e mediave audio/audiovizive, harmonizimi i legjislacionit “acquis communitaire” të fushës audiovizive.
Transpozimi i Direktivës 2018/1808, është planifikuar në Planin Kombëtar të Integrimit Europian (PKIE) 2022-2024.
Në fjalën e saj përshëndetëse znj. Armela Krasniqi, kryetare e AMA-s, falenderoi pjesëmarrësit që i janë bashkuar kësaj tryeze rajonale pune dhe e cilësoi me shumë rëndësi shkëmbimin e eksperiencave me homologët e AMA-s për transpozimin sa më efektiv të implementimit të Direktivës 2018/1808 të BE-së.
Krasniqi tha se “deri në fund të këtij viti është parashikuar transpozimi i neneve të Direktivës të cilat ndryshojnë dhe e përmirësojnë kuadrin legjislativ, sikurse janë: mbrojtja e fëmijëve, aksesi në media i personave me aftësi të veçanta, çështjet e juridiksionit, promovimi i veprave evropiane, etj”.
Zëvendëskryetarja e Agjencisë së Mediave Elektronike në Malin e Zi, znj. Jadranka Vojvodic, bëri me dije se vendi i saj ka finalizuar procesin e draftimit të ndryshimeve ligjore dhe tashmë projektligji është në fazë miratimi. “Vend të posaçëm në këto rregullime të reja marrin dispozitat lidhur me pavarësinë e rregullatorëve, pronësinë dhe financimin e mediave si elementë të lirisë së medias, përcaktimi i masave mbrojtëse për fëmijët, rregullimi i ofertave të reja mediatike.
Po ashtu janë draftuar propozimet për rregullimin; bashkërregullimin dhe vetërregullimin duke konsideruar ndërgjegjësimin e grupeve të interesit në këtë proces”, nënvizoi Vojvodic.
- Selver Ajdini, Zëvendëskryetar i Këshillit të Agjencisë Elektronike të Medias në Maqedoninë e Veriut, bëri me dije se vendi i tij do përfundojë transpozimin e Direktivës përgjatë dy viteve dhe në të janë parashikuar të gjitha rregullat e vendosura nga Unioni.
- Xhevat Latifi, Drejtor Ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Medias në Kosovë bëri me dije se ka nisur rishikimi i kuadrit legjislativ dhe është parashikuar përafrimi i plotë i Direktivës. Sipas tij, synohet përafrim plotësisht i zbatueshëm që të rregullojë realitetin e ri mediatik.
- Sasa Simovic, Këshilltar Ligjor dhe Mbrojtës i të Dhënave në Autoritetin Rregullator të Mediave Elektronike në Serbi, tha se vendi i tij ka planifikuar që brenda vitit 2022 të transpozojë Direktivën në ligjin kombëtar. Ai bëri me dije se në Serbi Rregullatori i Mediave ka tagër të kontrollojë dhe çmimet e reklamave.