E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Zbatimi i kërkesave dhe standardeve ligjore për publicitetin e barnave

Nisur nga problematikat e identifikuara në publicitetin e barnave mjekësore, AMA i ka adresuar sot një shkresë zyrtare Ministrisë së Shëndetesisë dhe Mbrojtjes Sociale, për dijeni dhe Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Shoqatës së Përfaqësive Shqiptare Farmaceutike, Unionit të Biznesit Farmaceutik si dhe disa OSHMA-ve. Më poshtë ju njohim me tekstin e shkresës.

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka marrë së fundmi ankesa mbi mosrespektimin e kërkesave ligjore mbi publicitetin e barnave në transmetimet televizive. Në procesin e monitorimit të përmbajtjeve të transmetuara, bazuar në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, po ashtu është identifikuar se nga OSHMA-të, jo në të gjitha rastet zbatohen kërkesat dhe standardet për reklamat dhe promocionin e barnave.

Reklamat dhe komunikimet tregtare që kanë në fokus barnat janë mjaft të ndjeshme për publikun, pasi ato japin informacione dhe orientojnë qytetarët në përballjen e tyre me aspekte të shëndetit. AMA tërheq vëmendjen e institucioneve publike dhe subjekteve private që janë fokusuar në fushën farmaceutike që në çdo rast të zbatojnë kërkesat e rregullores “Për publicitetin e barnave”, sipas Urdhërit nr. 25 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, datë 17.01.2019. Po ashtu dhe OSHMA-të të zbatojnë me përpikmëri kërkesat e rregullores së posaçme të miratuar nga AMA, me vendimin nr. 42, datë 19.03.2018 “Për komunikimet audio dhe/ose audiovizive me natyrë tregtare format, kushtet dhe koha ditore e lejuar për transmetimin e reklamave”.

Kujtojmë se bazuar në kërkesat e rregullores “Për publicitetin e barnave”, objekt transmetimi për reklama dhe komunikime tregtare duhet të jenë vetëm barnat që janë pjesë e listës së barnave pa recetë, ose siç njihen barnat OTC. Është i ndaluar publiciteti për barnat që shpërndahen kundrejt recetës së mjekut, dhe për të gjitha barnat narkotike dhe psikotrope sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë.

Në publicitetin e barnave, të cilat shpërndahen pa recetë, duhet të përfshihet dhe teksti standard që, “Përpara përdorimit, lexoni me kujdes udhëzimet për përdorimin, dhe kosultohuni me farmacistin ose mjekun tuaj për rreziqet ose efektet e padëshiruara të mundshme”. Rregullorja saktëson se ky tekst, në rastin e publicitetit televiziv duhet të paraqitet veçmas, të lexohet nga një person më zë të qartë dhe të kuptueshëm.

Në një nen të veçantë të rregullores përshkruhen dhe rastet kur nuk lejohet që në publicitetin e barnave drejtuar popullatës të pretendohet se bari nuk ka efekte të padëshiruara, nuk është toksik dhe nuk ka rrezik të shfaqë varësi, apo të mbulojë ose reduktojë rëndësinë dhe frekuencën e efekteve të padëshiruara; të jepet përshtypja se bari garanton sukses në trajtimin e sëmundjes; të sugjerohet se një bar është padyshim më i mirë se një tjetër etj.

Në rregulloren e AMA-s parashikohet që gjatë transmetimeve televizive është e ndaluar që realizuesit e programit dhe pjesëmarrësit në të, të bëjnë reklamimin e barnave, si dhe ka kufizime sa i përket publicitetit që i drejtohet të miturve, lidhur me barnat.

Korrektesa dhe përpikmëria në zbatimin e kërkesave të rregulloreve të sipërcituara është dhe një shërbim e mbështetje për qytetarët e interesuar dhe familjarët e tyre. Aq më tepër në rrethanat ku ndodhemi, me përballjen e pazakontë me Covid-19.

AMA kërkon nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që përmes Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, shoqatave të farmacistëve dhe subjekteve që janë regjistruar për aktivitet në këtë fushë, të respektohen kërkesat dhe standardet ligjore për publicitetin e barnave.

Ndërkohë AMA do të vijojë procesin e monitorimit të transmetimeve të përmbajtjeve audio dhe audiovizive të OSHMA-ve, me fokus po publicitetin e barnave. Për rastet e identifikuara do të fillohet ndjekja e procedimit administrativ, bazuar në parashikimet e kuadrit legjislativ.

AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE

Perpara AMA i bashkohet programit të Kryqit të Kuq Shqiptar për dhurimin vullnetar të gjakut

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara